Lirimi i hapësirave publike në Kukës – Mbaron afati i lirimit vullnetar, punohet ngadalë

Në Kukës, këtë të hënë ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike, ku disa nga bizneset kanë çmontuar vullnetarisht strukturat e vendosura në trotuare dhe hapësira të tjera të përbashkëta.
Sipas Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Kukës, të gjitha bizneset janë njoftuar paraprakisht për lirimin e hapësirave, ndërsa gjatë aksionit është hasur mirëkuptim nga ana e tyre. Drejtori i IMT-së, Armand Oruçi, u shpreh se procesi ka nisur pa kundërshtime.
“Është përmbushur afati pesëditor për lirimin vullnetar të hapësirave. Siç dihet, Kukësi, edhe për shkak të numrit të popullsisë dhe krahut të punës, është duke ecur me ritme të avashta. Më e rëndësishmja është që kemi mirëkuptimin e qytetarëve,” tha z. Oruçi.
Fillimisht, ndërhyrjet po fokusohen në rrugët kryesore të qytetit, me synim çmontimin e konstruksioneve metalike dhe lirimin e trotuareve për kalimin e qytetarëve.
Më pas, sipas drejtorit të IMT-së, aksioni do të shtrihet edhe në lagjet e Kukësit, ku verifikimet paraprake kanë konstatuar rrethime dhe zënie pa kriter të hapësirave publike.
“U bëj thirrje qytetarëve që kanë bërë ndërhyrje mes pallateve dhe lagjeve të qytetit, t’i lejojnë ato në mënyrë vullnetare që të mos kenë penalitete të mëtejshme,” u shpreh drejtori Oruçi.
Ndërhyrjet në Kukës janë pjesë e aksionit të gjerë për lirimin e hapësirave publike në gjitha bashkitë e vendit.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/