E Hënë, 2 Nëntor 2026

Uribe ndërron jetë pas atentatit, senatori kolumbian u qëllua në kokë gjatë një tubimi në qershor

Senatori kolumbian Miguel Uribe ka ndërruar jetë në spital, ku po trajtohej që nga qershori, kur u qëllua me armë në kokë gjatë një tubimi në Bogotë.

Ai ishte 39 vjeç dhe shihej si një figurë e rëndësishme e opozitës së djathtë dhe kandidat i mundshëm për president. Pas sulmit, ai iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk arriti të mbijetojë.

Lajmi për vdekjen u bë i ditur nga familja e tij të hënën. Bashkëshortja Maria Claudia Tarazona, e prekur thellë, shkroi në rrjetet sociale se do të kujdeset për fëmijët e tyre.

Humbja e tij përforcon dhimbjen e një familjeje që ka kaluar tragjedi të mëdha. Nëna e Uribes, gazetarja Diana Turbay, ishte vrarë në vitin 1991 gjatë një misioni shpëtimi pas rrëmbimit nga karteli Medellin.

Uribe kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme politike si pjesë e partisë Qendra Demokratike. Ai ishte një kritik i njohur i qeverisë së presidentit Gustavo Petro dhe kishte fituar popullaritet që në moshë të re.

Në moshën 25-vjeçare u bë këshilltar në Bogotë, duke u shquar për qëndrimet kundër politikave lokale. Në vitin 2022 ai udhëhoqi listën e partisë së tij për Senat me moton “Kolumbia e Para”. Familja e tij ka një histori të gjatë në politikën kolumbiane, me gjyshër që kanë mbajtur pozita të larta shtetërore.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›