Lirimi i hapësirave publike në Theth, dita e dytë e ndërhyrjes së institucioneve në zonën turistike

Në Theth ka vijuar edhe këtë të martë aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga ndërtime të ndryshme pa leje.
Punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, bashkë me ata të Policisë Bashkiake Shkodër, me mbështetjen edhe të Policisë së Shtetit, kanë vijuar edhe sot punimet për heqjen e objekteve dhe pastrimin e zonës nga inertet.
Aty ku të hënën u hoq nga fadromat një kompleks pa lejen përkatëse, gradualisht terreni po kthehet në normalitet me pastrimin e inerteve. Jo vetëm kjo zonë, por në çdo ndërhyrje që do të bëhet për lirimin e hapësirave publike, terreni do të kthehet në gjendjen fillestare.
Sipas informacioneve nga IKMT-ja, në këtë ndërhyrje është planifikuar të shemben apo të largohen 40 objekte nga hapësirat publike.
Për këtë aksion kanë reaguar disa herë përmes rrjeteve sociale kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Ata kanë shprehur vendosmërinë për rikthimin e ligjshmërisë jo vetëm në këtë zonë historike, por në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/