E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mirdita e rrezikuar nga zjarret, disa raste të përsëritura të dyshuara si të qëllimshme

Gjatë muajit qershor në Mirditë janë regjistruar disa raste zjarresh, duke e kthyer zonën në një nga më të rrezikuarat në vend.

Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë pyjore.

Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Mirditë, Fred Vorfi, bën me dije se në gjashtë raste dyshohet se zjarret janë ndezur qëllimisht.

“Kemi pasur një situatë shumë të vështirë këto ditë. Kemi pasur tre zjarrvënie të qëllimshme në zonën e Malajve dhe tre zjarrvënie të qëllimshme në zonën Ndërthanës. Fatmirësisht nuk kemi pasur ndonjë dëm në banesë apo prona të rëndësishme, por sido që të jetë puna pyjet janë ato që duhet t’i mbrojmë dhe patjetër që kemi ndërhyrë me të gjitha mundësitë tona,” tha z. Vorfi.

Ai u bën thirrje banorëve të jenë vigjilentë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast zjarri, për të mundësuar reagim të shpejtë dhe minimizim të pasojave.

“Të gjithë banorëve, të ruajnë pyjet, vendin dhe të na japin informacion në rast se do të kenë, sa më shpejt, sepse është shumë i rëndësishëm për ne dhe ndërhyrja mund të bëhet më shpejt, për të mos pasur probleme të mëdha,” apeloi drejtori i Emergjencave Civile në Mirditë.

Vorfi foli gjithashtu për masat e marra për muajt në vijim, korrik dhe gusht, kur priten temperatura të larta dhe rrezik në rritje.

Aktualisht në qarkun e Lezhës nuk ka vatra aktive, por sipas tij, gatishmëria është maksimale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›