E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar të hënën në kolegjin ISPE, gjatë aksionit politik “Fiu, fiu, po të fryn veriu”, u liruan të martën nga Gjykata për Kundërvajtje në Prishtinë, me procedurë të rregullt. Ata u akuzuan për pengim në grup të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, neni 318 dhe dëmtim i pronës së paluajtshme, neni 260, nga prokurori Haki Geci.

“Aktivistët u mbajtën 24 orë në paraburgim, për të vetmin fakt se patën guxim ta kritikojnë mosveprimin e ministrit Bajram Rexhepi në veri, me anë të shpalosjes së një baneri, shpërndarjes së fletushkave dhe fishkëllimave”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Aktivistët fillimisht janë ndaluar në lokalet e kolegjit ISPE, ku janë ndarë djemtë nga vajzat, janë futur në një dhomë ku mbahej mësim i rregullt dhe në sy të studentëve dhe profesorit të tyre, janë rrahur brutalisht nga truprojat e Bajram Rexhepit dhe personeli tjetër i sigurisë në kolegj. Aktivistët Pajtim Demaj, Genc Sherifi dhe Gëzon Kastrati janë goditur me shqelma dhe grushta pasi u janë vënë xhaketat mbi kokë”.

“Lëvizja Vetëvendosje dënon ashpër dhunën e ushtruar nga truprojat e Bajram Rexhepit dhe persona të tjerë ndaj aktivistëve të saj. Shndërrimi i dhomave të kolegjit në qeli torture, tregon qartë se në çfarë gjendje kjo Qeveri e ka katandisur shoqërinë tonë. Ne jemi të vendosur ta themi të vërtetën mbi papërgjegjshmërinë e kësaj qeverisjeje, kudo dhe kurdo, në shërbim të vendit dhe të qytetarëve”, thuhet në komunikim për shtyp.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›