Lirohen hapësirat publike në pedonalen “Kolë Idromeno” në Shkodër

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Në bashkinë e Shkodrës vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike përgjatë pedonales “Kolë Idromeno”.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se punonjësit e Policisë Bashkiake po heqin tavolinat dhe karriget e vendosura në mënyrë të paligjshme.
“Ky është një veprim në shërbim të qytetit për një pedonale më funksionale dhe më të denjë për qytetarët dhe vizitorët, veçanërisht në prag të sezonit turistik”, theksoi Beci.
Kryebashkiaku Beci e cilësoi këtë aksion një hap konkret për të mbrojtur hapësirën e përbashkët dhe për të vendosur standarde që i shërbejnë Shkodrës.
“Pedonalja është e qytetarëve dhe në shërbim të bizneseve, por duke ruajtur hapësirat për lëvizjen e qytetarëve”, tha Beci.
Pedonalja “Kolë Idromeno” është një nga rrugët më të bukura në Shkodër, e kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik. Shtëpitë e vjetra me mure të larta prej guri e porta të mëdha prej druri e bëjnë vërtet tërheqëse këtë rrugë, e cila përfaqëson imazhin historik të qytetit.
1 nga 7/k.s/j.p/