E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre deputetë të opozitës paraqesin shqetësime për kapacitetet e sistemit shëndetësor

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Deputetët e opozitës zhvilluan sot interpelancën e kërkuar me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala lidhur me shërbimet që ofron sistemi shëndetësor në vend.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ngriti shqetësime për kapacitetet e kufizuara në spitalin Onkologjik, mungesën e funksionimit të brakiterapisë prej 8 muajsh dhe numrin e pamjaftueshëm të akseleratorëve për radioterapi.

“Në Onkologjik trajtohen çdo ditë deri në 120 pacientë me kimioterapi. Për këta pacientë ka vetëm 30 poltrone, ndërsa 90 të tjerë presin me orë të tëra ose detyrohen të marrin trajtimin në karrige. Këto 30 poltrone nuk janë siguruar nga shteti, por nga një donator që ka dhënë 75 mijë euro. A nuk ka ky shtet 75 mijë euro për të siguruar edhe 30 poltrone të tjera, kur një shtet si Kosova ka 100 të tilla?”, iu drejtua Xhixho ministres Sala.

Xhixho u shpreh se “prej 8 muajsh, brakiterapia nuk funksionon, ajo prek rreth 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik”.

“E njëjta situatë është edhe me PET Scan-in, një ekzaminim që thoni se do të vihet në punë në fund të vitit 2026. Kjo mungesë ka ndikim të drejtpërdrejtë te këta qytetarë. Në radioterapi kemi dy akseleratorë linearë për rreth 100 pacientë në ditë, ndërkohë që akseleratori i ri ende nuk është funksional. Kemi vetëm dy pajisje për rrezatimin e jashtëm për këtë numër pacientësh. Rreth 100 pacientë në ditë për këtë shërbim, akseleratori që keni marrë nuk është ende në funksion. Kur do të vihet në punë pajisja e tretë dhe a keni në plan të merrni një akselerator të katërt?”, tha Xhixho.

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia në fjalën e tij ngriti shqetësimin lidhur me ndërprerjen e shërbimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji nga ana e koncesionarit.

Spahia tha se  “ajo që prej kohësh thuhej në korridore të spitaleve publike nga mjekët nën zë dhe nga vetë pacientët me frikën se mund të humbin vendin e punës nëse flisnin hapur tashmë u tha edhe nga ju personalisht. Pas datës 20 të çdo muaji kalendarik nuk mund të ofrohet asnjë lloj analize laboratorike nëpërmjet koncesionit të laboratorëve, pasi mungojnë fondet”.

“Sipas deklaratës publike jeni duke analizuar të dhënat dhe në bazë të të këtyre të dhënave do të gjeni edhe zgjidhje pasi nuk kuptuat problemin nuk keni si të jepni edhe zgjidhjes. Kjo pasi siç vetë ju e keni hapur duke qenë se vini nga fusha e të dhënave e njihni mirë mënyrën se si do ti adresoheni problemit”, theksoi Spahia.

Sipas tij, për vite me radhë këtë problem e ka ngritur jo vetëm opozita, por edhe mjekët madje edhe pacientët.

“Deri tani janë shpenzuar më shumë se 60% e fondit prej 13 miliardë lekë dhe ende pacientët nuk marrin shërbimin, apo rrezikojnë të mos i kryejnë edhe për raste urgjente, pasi koncesionari e ndalon shërbimin pas datës 20 të çdo muaji kalendarik. Rrezikohen jetë njerëzish, u duhet të paguajnë para ekstra nga xhepi për të mos rrezikuar jetën dhe shëndetin”, tha Spahia.

Ndërsa deputeti i PD-së Kliti Hoti ngriti shqetësimet për trajtimin e pacientëve të Onkologjikut, mungesën e barnave dhe të një regjistri onkologjik.

Hoti tha se “i gjithë trajtimi onkologjik në Shqipëri bëhet në QSUT në një qendër  të vetme, e cila nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit”.

Duke u ndalur tek barnat, Hoti tha se “në 6 vitet e fundit është bërë vetëm tre herë lista e rimbursimit. Për qytetarin do të thotë që nuk ka barna të reja dhe duhet të vazhdojë të blejë barnat e vjetra”.

Më tej Hoti vuri në dukje se “ende s’ka regjistër të sëmundjeve onkologjike, pa këtë institucionet nuk dimë sa raste kemi, si trajtohen dhe çfarë politikash duhen e u ndjek. Një qendër nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›