Sala: 8 njësi kimioterapie në spitalet rajonale të vendit

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi sot në Kuvend se në spitalet rajonale të vendit funksionojnë 8 njësi kimioterapie konkretisht në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë e Vlorë, ndërsa së shpejti do të hapet edhe punkt i ri i kimioterapisë në Spitalin Memoral të Fierit, duke e çuar në 9 numrin e rajoneve ku sot ofrohet kimioterapia në shkallë vendi.
Në interpelancën e kërkuar nga deputetët e opozitës lidhur me shërbimet shëndetësore në vend, Sala tha se “për shumë vite, shërbimi onkologjik në Shqipëri ishte i përqendruar pothuajse tërësisht në një strukturë të vetme, që krijonte një zinxhir problemesh që i njihni të gjithë”
“Kishte pacientë që udhëtonin nga e gjithë Shqipëria drejt Tiranës, mbingarkesë për mjekët dhe infrastrukturën, vonesa në diagnostikim dhe trajtim dhe mbi të gjitha, një ndjenjë pasigurie për pacientin. Problemi nuk ishte vetëm mungesa e burimeve, por mënyra si ishte organizuar dhe menaxhuar sistemi”, theksoi Sala.
Sot, shtoi ajo, kemi një realitet tjetër.
“Shërbimi onkologjik është i organizuar në një strukturë shumënivelësh, me një objektiv të qartë: ta çojmë shërbimin më pranë pacientit dhe ta bëjmë atë më të standardizuar në të gjithë vendin. Në nivel terciar, shërbimi onkologjik ofrohet kryesisht pranë: Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të gjitha diagnozat dhe Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” për kancerin e mushkërisë”, tha Sala.
Së fundmi, vijoi Sala, në kuadër të autonomisë menaxheriale po funksionon njësia e kimioterapisë pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, për një numër diagnozash gjinekologjike.
“Organizimi i shërbimit onkologjik bazohet në ekipe multidisiplinare, ku çdo pacient vlerësohet dhe trajtohet nga kirurgë onkologë, kimioterapeut, radioterapistë, onkogjinekologë dhe specialistë të imazherisë e anatomisë patologjike. Ky është një standard modern, që garanton vendimmarrje të koordinuar dhe cilësi më të lartë trajtimi me pacientin në qendër. Gjatë këtij viti, 35 staf mjekësor janë shtuar për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve. Vetëm gjatë vitit 2025, në Spitalin Ditor Onkologjik pranë QSUT janë trajtuar mbi 21 mijë pacientë, shifër e cila është e krahasueshme, se shumë qendra prestigjioze europiane. Çdo ditë marrin shërbimin e kimioterapisë rreth 90 pacientë, ndërsa në radioterapi 140 pacientë e në ortovoltazh 25 pacientë”, nënvizoi Sala.
Sa i përket kohës së pritjes, Sala tha se biopsitë dhe përgjigjet histopatologjike realizohen zakonisht brenda 2–3 javësh, kohë kjo më e shkurtër se në shumë institucione mjekësore europiane.
“Ndërhyrjet kirurgjikale kryhen në intervale të ngjashme; konsultat dhe fillimi i kimioterapisë apo radioterapisë shpesh realizohen brenda javës. Këto janë intervale të kontrolluara dhe në përputhje me standardet e menaxhimit klinik europian. Por, pikërisht kjo ngarkesë e lartë është arsyeja pse kemi ndërmarrë reformën e decentralizimit të shërbimit. Sot, funksionojnë 8 njësi kimioterapie në 8 spitale rajonale të vendit, më konkretisht: në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë e Vlorë. Së shpejti do të hapet edhe punkt i ri i kimioterapisë në Spitalin Memorial të Fierit, duke e çuar në 9 numrin e rajoneve ku sot ofrohet kimioterapia në shkallë vendi”, tha ministrja Sala.
Ministrja Sala tha se “gjatë këtyre 7 muajve kemi punuar në disa drejtime, po shkojmë drejt ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe rrjetit kombëtar onkologjik, të ngjashme me modelet më të mira europiane”.
Sala bëri të ditur se MSHMS ka bashkëpunuar shumë ngushtë me Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos për të unifikuar skemën e trajtimit të sëmundjeve tumorale.
“Është bërë një punë intensive, me të gjitha shërbimet e QSUT. Me ekipin e mjekëve të Institutit të Tumoreve të Milanos, janë miratuar në Bordin e Tumoreve të QSUT 38 protokolle për trajtimin e tumoreve solide dhe hematologjike. Po forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar për të sjellë standarde dhe njohuri të reja në vend dhe mbi të gjitha, po ndërtojmë një strategji të re për tumoret për vitet 2026–2030”, tha Sala.
/k.s/j.p/