Lirohet pas arrestit ish-kreu i Hipotekës së Vlorës
VLORE – Pa mbushur 24 orë në qeli, lirohet ish-kreu i Hipotekës së Vlorës, Edmond Banushaj. Mësohet se ka qenë një urdhër i Prokurorisë për lirimin e tij, ndërsa nuk bëhet i ditur argumenti ligjor i organit të akuzës. Banushaj u prangos nga Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Vlorës për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre. Ai do të hetohet në gjendje të lirë në lidhje me një pretendim të një qytetari, i cili e ka akuzuar atë se i ka tjetërsuar pronësinë e 2500 m2 tokë në zonën në afërsi të fushës së aviacionit në Vlorë. Dyshohet se këtë pronë ish-kreu i Hipotekës në periudhën e viteve 2007-2009, e ka kaluar në emrin e vjehrrit të tij. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në vitin 2007, Banushaj ka urdhëruar vartësit e tij, juristen dhe hartografen e Hipotekës që të bëjnë korrigjimin e hartës treguese dhe kartelave, duke ndryshuar pronësinë në favor të vjehrrit të tij, bënë të ditur dy ditë më parë burimet e policisë. Banushaj ishte arrestuar edhe një herë më parë për të njëjtat akuza, ndërsa çështja është ende në Gjykatën e Vlorës.