E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet transportuesi idrogës në gjizë

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të organit të akuzës vendosi të lirojë nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja” shtetasin Arben Kaçorri, i cili pasditen e 26 qershorit u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës pasi brenda makinës me të cilën po ushtonte iu gjet një kovë me gjizë brenda së cilës ishte fshehur 4 kg hashash dhe 300 gram kokainë. Shkak për lirimin e tij, sipas arsyetimit të vendimit të togave të zeza, ka qenë mos përfshirja e tij në këtë trafik droge, pasi nga hetimet njëmujore u vërtetua se Kaçorri nuk kishte dijeni për drogën që po transportonte me kërkesë të një qytetari nga Tepelena që tashmë është shpallur në kërkim nga policia. “Nga hetimet njëmujore ka rezultuar se shtetasi Arben Kaçorri mëngjesin e datës 26 qershor ka pranuar të dërgojë në Greqi kundrejt 20 eurove dy kova, njërën me mjaltë dhe njërën me gjizë nga një qytetar Tepelenas. Kaçorri në momentin e dorëzimit të kovave ka kërkuar t’i kontrollojë se çfarë kanë brenda, por pronari i kovave nuk ka lejuar të hapë kovën me gjizë duke justifikuar që mos ta përziente për shkak se mund të prishet ndërsa kovën e mbushur me mjaltë ka pranuar ta kontrollojë. Pas kësaj, në mirëbesim Kaçorri pasdite është nisur për në Greqi tek familjarët e tij, pasi çdofundjave ai shkonte për pushim në shtetin fqinjë, ku matanë kufirit pritësi i kovave do të ishte i pandehuri Eduart Belulaj tashmë i arrestuar më 16 korrik të këtij viti. Me të mbërritur në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ndaj makinës që drejtonte Kaçorri me targa TP 22 44 B është ushtruar kontroll, ku brenda kovës së gjizës policia ka gjetur 4 kg hashash dhe 300 gram kokainë”,-thuhet nga vendimi. Pas, sekuestrimit të këtij malli Kaçorri ka pranuar të flasë duke treguar personin që do priste kovat dhe atë që ia ka dhënë kundrejt 20 eurove pagesë. Me marrjen e dëshmisë së tij, policia nën urdhrat e prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë filluar hetimet intensive për të vërtetuar dëshminë e Kaçorrit, ku pas një muaj hetim prangoset pritësi i kovave Eduart Belulaj ndërsa personi që i ka dorëzuar kovat ka mundur t’i shpëtoi policisë. Sipas vendimit të togave të zeza, “shtetasi Arben Kaçorri nuk ka pasur dijeni për atë që po transportonte dhe nuk ka asnjë lidhje me të pandehurit, pasi për çdo rrugë që kryente për në Greqi ai prej shumë kohësh merrte porosi nga qytetarë të ndryshëm kundrejt pagesave”. Kështu, sipas këtyre burimeve me vërtetimin e kësaj dëshmie, prokuroria ka vendosur të tërheqë akuzat ndaj shtetasit Arben Kaçorri duke e lënë të lirë. Ndërsa, ndaj personit të shpallur në kërkim dhe të pandehurit Eduart Belulaj është ngritur akuza e “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se personi që ka porositur drogën ndodhet në qelitë e paraburgimit të Durrësit, i arrestuar nën masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

------------------------------------------Pranga 40- vjeçarit, iu gjetën 2 kg hashash

TIRANË-Antidroga e policisë së Tiranës sekuestron 2 kilogram hashash ndërsa çon në qeli një 40-vjeçar. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se ditën e djeshme seksioni Kundër Drogës, ka realizuar sekuestrimin e një sasie prej 2 kilogram e 321 gram lëndë narkotike e dyshuar cannabis sattiva si dhe arrestimin në flagrancë të Lime Harizit, 40-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Ky i fundit u kap në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, ndaj të cilit u mor edhe masa e menjëhershme e arrestit. Sipas policisë, hetimi kishte nisur dy javë më parë pasi antidroga kishte siguruar informacione për trafikimin e lëndëve narkotike nga një person i cili dyshohet se ishte 40-vjeçari Harizi. Menjëherë policia u vu në lëvizje duke vëzhguar itinerarin e të dyshuarit duke bërë të mundur kapjen e tij me një sasi lënde narkotike. Pas një kontrolli personal atij iu gjet lënda e dyshuar cannabis sattiva e cila ishte e ndarë në 10 copë qese farmacie. Krahas sasisë së sekuestruar, atij iu gjendën edhe 40copë qese me lëndë e llojit cannabis sattiva, e cila u sekuestrua pas një kontrolli të befasishëm të ushtruar në ambientet e banesës së tij, qëishin të fshehura në një çantë, nga ku dyshohet se ishin të përgatitura për shitje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›