Gjykata largon dy burra nga gratë e tyre
TIRANË- Gjykata e kryeqytetit vendosi dje të pranojë kërkesën e nënës së dy fëmijëve me inicialet Gj.D. që t’i sigurohet jeta asaj dhe fëmijëve nga dhuna sistematike e bashkëshortit të saj. Sipas vendimit të gjykatës, jeta e gruas dhe dy fëmijëve të saj është në rrezik nga dhuna e bashkëshortit dhe urgjentisht ndaj saj të krijohen kushtet e mbrojtjes për një afat një mujor. Por bashkëshorti, që ishte prezent në sallën e gjyqit, kundërshtoi pretendimet e gruas, duke u shprehur se “gruaja ime ka një dashnor për të cilin kërkon të më ndajë mua nga fëmijët. Dashnori i saj gjatë kohës që ishim bashkë i dërgonte mesazhe në celular që unë jam përpjekur t’i lexoj por ajo është ankuar tek dashnori i cili më pas më ka kërcënuar me anë të mesazheve në telefon dhe thirrjeve telefonike”. Ai tregoi edhe mesazhet e dërguara nga një person që i kërkonte të mos i prekte telefonin e gruas së tij. Edhe pas këtyre pretendimeve të bashkëshortit Gjykata e Shkallës së Parë lëshoi urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes së paditëses dhe dy fëmijëve të saj. Në vendin thuhet se urdhërohet i padituri që mos të kryejë vepra dhune, të mos kërcënojë, të mos cenojë, ngacmojë, të kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt apo tërthorazi me gruan e tij dhe fëmijët. Ndërsa gruaja lejohet që, së bashku me fëmijët, të banojnë të qetë në shtëpinë bashkëshortore në periferi të kryeqytetit. Ky vendim ka fuqi një mujore dhe me zbatimin e tij duhet të merret komisariati i policisë Nr. 5.
Po gjatë ditës së djeshme gjykata shqyrtoi edhe kërkesën e bashkëshortes me iniciale V.V. e cila kërkoi ndihmë dhe mbrojtje nga dhuna e vazhdueshme e burrit të saj. Sipas vendimit të mbrojtjes, në të shumtën e rasteve shkaku i dhunës mes çiftit ka qenë humbja e shumave të ndryshme parash nga burri në baste sportive që nuk i ka duruar dot qortimet e gruas. “Urdhërohet i padituri të mos kërcënojë, cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë me paditësen deri në shtator të këtij viti, ku me datë 4 shtator do të zhvillohet seanca e dëgjimit për zbatimin e urdhrit të gjykatës për mbrojtje”- thuhet në vendim. Mësohet se vetëm dy muajt e fundit në Tiranë janë shqyrtuar dhe lëshuar mbi 40 urdhra mbrojtje nga gjykata kundër burrave të dhunshëm. Sipas burimeve, komisariatet e policisë së kryeqytetit, adresojnë përditë qytetarë të shumtë për në gjykatë, të cilët ankohen për probleme të dhunës në familje. Menjëherë pasi marrin denoncimet e qytetarëve të dhunuar nga familjarët, inspektorët e policisë së rendit dhe ata të sektorit të dhunës në familje i adresojnë për në gjykatë, duke i pajisur me një kopje të denoncimit.