Lista “Srbija” është e kundërligjshme
Halil Matoshi
Emërtimi i listës së serbëve të veriut “Srbija” cenon sovranitetin e shtetit ku garon për zgjedhjet lokale; ky emërtim është në kundërshtim me nenin 1 dhe 2 të Kushtetutës, me tri parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit; bie ndesh me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ose me dispozitat që mutatis mutandis vlejnë për zgjedhjet lokale; si dhe hapur shkel dispozitën e mosregjistrimit sipas Rregullores 2004/11 të UNMIK-ut për partitë politike...Estabilishmenti politik i Republikës së Serbisë me lojën rreth zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës e ka sfiduar seriozisht jo vetëm Marrëveshjen e 19 prillit (pos nëse kryeministri i Kosovës ia ka ngulë thikën prapa shpine popullit të Kosovës), por edhe shpërfaq sy bote mosekzistencën në Serbi të një minimumi vullneti politik për implementimin e kësaj marrëveshjeje. Paramendojeni sikur në Luginë të Preshevës të aplikonte për regjistrim në KQZ një Listë Qytetare, Parti ose koalicion me emërtimet “Për Preshevën e bashkuar me Kosovën” ose “Lista për Shqipërinë etnike”; s’do koment, se nuk do të regjistrohej, madje organizatorët do të arrestoheshin brenda në orën fiks 24 të afatit të fundit për regjistrim!? Lista "Srbija" si surrogat i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) që paskësh aplikuar në KQZ pesë në 24, për të garuar në zgjedhjet lokale kosovare (si dhe Lista Qytetare e Oliver Ivanoviqit me të njëjtin emër) jo që është një provokim i radhës - porse ajo i tejkalon këto caqe - ngase bie në kundërshtim me tre parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit.Ndërkohë që Republika e Kosovës nuk ka ende Ligj për partitë politike, megjithatë këtë fushë e rregullon Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, përkatësisht ai për zgjedhjet lokale si dhe klauzola e Rregullores së UNMIK-ut 2004/11 se në cilat raste një parti politike, ose nismë qytetare nuk mund të regjistrohet në Zyrën për regjistrimin e partive politike dhe në KQZ për garën zgjedhore;Pranimi nga KQZ-ja dhe institucionet e Kosovës të këtij emërtimi në garën zgjedhore në Republikën e Kosovës, jo vetëm që zhvlerëson Republikën, por është përfundimisht pranim i vasalitetit ndaj Serbisë dhe njëherësh shënon akt të tradhtisë kombëtare!