Lista e atentateve terroriste trondit Greqinë – dorëzohen strukturat policore
Në Greqi media ka publikuar një listë tepër sekrete të shërbimit anti-terror, ku përfshihen emrat e objektivave të mundshëm për t’u goditur nga grupet guerrile që veprojnë në vend. Në listë ka emra gazetarësh, biznesmenësh, gjykatësish e prokurorësh, për të cilët autoritetet kanë udhëruar marrjen e masave drakoniane të mbrojtjes. Vetëm disa orë pas publikimit të listës, u njoftua se organizata guerrile “Lufta revolucionare”, mori përgjegjësinë për dy sulme të kryera disa ditë më parë. Emrat më të shquar të gazetarisë greke dhe biznesmenët më të fuqishëm në vend, kanë humbur gjumin prej së mërkurës, ditës kur njëra prej gazetave më autoritare në vend, To Vima, publikoi dokumentin tepër sekret të policisë.
Dënohet publikimi/Në të thuhet se lista u hartua nga shërbimi anti-terror në muajin shkurt, dhe pas sulmeve të njëpasnjëshme që po shënohen që prej fillimit të janarit, kryesisht kundër patrullave dhe rajoneve të policisë si dhe bankave e zyrave shtetërore. Lista përmban emrat e 54 personave, mes të cilëve janë emrat më të shquar të gazetarisë e biznesit vendas, por edhe një numër prokurorësh e gjykatësish, dy zëvendësministra të qeverisë dhe një deputet. Sipas vlerësimit të shërbimit antiterror, ndër objektivat e mundshëm për të rënë pre e sulmeve të guerrilëve, janë edhe dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit, shefi i kabinetit dhe ai i zyrës së shtypit të zotit Karamanlis. Një tjetër listë e ngjashme është ajo me thuajse gjithë selitë e stacioneve televizive dhe gazetave qendrore, që gjithashtu konsiderohen si objektiva të mundshëm për t’u goditur. Sipas fotokopjes së dokumentit që publikon gazeta, strukturat e policisë janë urdhëruar që të vendosin masa drakoniane mbrojtëse për gjithë ojektivat e mundshëm, dhe mos t’u ndahen për asnjë çast gjatë 24 orëve, personave VIP. Zëdhënësi i qeverisë greke, në mënyrë indirekte konfirmoi ekzistencën e listës, ndërkohë që dënoi publikimin e saj. “Rrjedhja e çdo dokumenti shtetëror, sidomos kur ka karakter konfidencial, është e dënueshme," tha ai. Por edhe komuniteti i gazetarëve greke e ka dënuar publikimin nga ana e gazetës To Vima, duke theksuar e gazeta ka shkelur etikën profesionale. Nga ana tjetër, disa prej personave që kanë emrin në listë, bënë të ditur se do ta padisin policinë greke, pasi ata nuk kishin pasur asnjë njoftim se shërbimi antiterror i kishte klasifikuar si të rrezikuar.
Përgjegjësi për sulmet/Po të mërkurën në mbrëmje u bë e ditur edhe një marrje përgjegjësie për dy sulme të kryera disa ditë më parë, kundër selisë qendrore të bankës amerikane Citi Bank në Athinën dhe një dege të saj. Sidomos sulmi i parë, që mbeti në tentativë për shkak se nuk shpërtheu autobomba e vendosur para ndërtesës, do të mund të kishte pasoja shkatërrimtare. Policia kishte bërë të ditur se autobomba kishte 50 kilogram eksploziv, nga e njëjta lëndë që ishte kryer edhe sulmi vdekjeprurës në Oklahoma të shteteve të bashkuara në vitin 1995, ku kishin gjetur vdekjen më shumë se 100 vetë. Tani, përgjegjësinë për të dy sulmet e ka marrë organizata guerrile “Lufta Revolucionare”, që konsiderohet si më e egra ndër organizatat aktive. “Lufta revolucionare” ka dërguar një trakt të gjatë në një gazetë të përjavshme e cila qarkullon çdo të enjte. Që prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur ndodhën trazirat e papara, në Greqi ka një shpërthim aktesh të dhunshme, autorësinë e të cilave e kanë marrë disa organizata guerrile. Ndërkohë autoritetet kanë konsoliduar tashmë vlerësimin e tyre se vendi është pëfshirë nga një valë e re terrorizmi, vetëm disa vjet pasi ishte shpallur se terrorizmi në Greqi ishte asgjësuar.
...