Lista e pjesëtarëve të MUP që do inkuadrohen në PK

Serbia fillimisht do intervistojë pjesëtarët e MUP-it për të krijuar një listë me ata që janë të gatshëm vullnetarisht të integrohen në Policinë e Kosovës ka mësuar indeksonline nga burimet e saj ndërkombëtare në Bruksel.
Lista që do përpilohet nga Beogradi, më pas i dorëzohet ekipit të Kosovës në Bruksel.
Ka disa ditë që ekipet e Kosovës dhe Beogradit për dialogun teknik që po mbahet krahas atyre të kryeministrave janë takuar në Bruksel për të sqaruar këtë cështje.
Qeveria e Kosovës, mbrëmjen e së enjtës ka njoftuar mediat vetëm që është folur për këtë cështje, ndërsa Indeksonline ka mësuar nga një zyrtar ndërkombëtar i përfshirë në këto takime se kanë mbetur shumë pak detaje për tu sqaruar.
“Serbia fillimisht do bisedojë me pjesëtarët e MUP-it që kanë qenë aktiv në pjesën veriore të Kosovës. Ata fillimisht e përpilojnë një listë me këta pjesëtarë që janë të gatshëm të inkuadrohen në Policinë e Kosovës. Më pas lista do i dorëzohet palës kosovare e cila gjithashtu do të bëjë verifikimet e veta”, ka thënë ky zyrtar ndërkombëtar.
Komunikata e qeverisë kosovare e dërguar mediave para pak orësh thoshte se në Bruksel pala kosovare ka sqaruar për trajnimet që serbët do duhen të kryjnë për tu bërë pjesë e policisë kosovare. Fjala është për trajnimet që i kalojnë pjesëtarët e rinj në shkollën e policisë në Vushtri.
Ndërkaq, indeksonline mëson se një nga detajet që ka mbetur pa u finalizuar është gradat që do kenë këta pjesëtarë në Policinë e Kosovës. Pala kosovare, gjithënjë sipas burimit ndërkombëtar kërkon që pjesëtarët e MUP-it që do kalojnë në Policinë kosovare të kenë nga një gradë më të vogël se që e kanë pasur në policinë serbe.
Një tjetër detaj që ka mbetur ende pa u sqaruar është dhe numri i atyre që do kalojnë nga MUP-i serb në policinë e Kosovës.
“cështja e numrit mesiguri se do të finalohet në një prej takimeve të kryeministrave, Thaci e Dacic. Deri më tash janë përmendur tre shifra, por asnjëra nuk janë të sigurta”, ka thënë përfaqësuesi ndërkombëtar që ka qenë pjesë e takimeve të ditëve të fundit./Indeksonline/