E Diel, 1 Nëntor 2026

Motoristët “vrasës” terrorizojnë banorët e lagjes së tetë

Banorët e lagjes së tetë në qytetin e Gjilanit që ka mbi 800 shtëpi janë në hall të madh nga grupe të rinjsh të cilët me motorët e tyre krijojnë zhurmë të pakontrolluar tërë ditën e natën raporton rajonipress.

Tanimë banorët me të drejtë i quajnë edhe motoristët “vrasës”. Këtë nofkë këta motoristë e kanë marrë pasiqë terrorizojnë banorët, rrezikojnë jetën e tyre, rrezikojnë fëmijët në trotuare e kalimtarët e rastit me shpejtësitë e tyre marramendëse, derisa as policia e as prokuroria nuk janë të aftë të ndërmarrin asnjë hap në këtë drejtim.

Viktimë e fundit e këtyre motoristëve është Nexhat Bllaca kryefamiljar në këtë lagje, një aktivist i ndershëm dhe një njeri shumë human. Ai është goditur e përgjakur nga pesë veta të rinjsh këtë të hëne, duke e sulmuar pa asnjë faj.

Bllaca tanimë me fasha në kokë e ka të vështirë që në këtë moshë që ka mbi 58 vjeçare të përjetojë një torturë të tillë.”Më sulmojë njëri prej këtyre motoristëve dhe ia tërhoqa vërejtjen se me gjestet e tilla do ta paraqes në polici. Ka reaguar në mënyrë brutale dhe më ka goditur në fytyrë ku edhe e kam humbur vetëdijen. E tërë kjo skenë ka ndodhur para familjes sime” shprehet Bllaca.

Bllaca thotë se për këto sjellje të këtyre motoristëve ka reaguar disa herë tek policia, por këta nuk kanë ndërmarrë asnjë hap. “Të gjithë këta djem që po na terrorizojnë janë fëmijë të pa edukatë, fëmijë narkoman dhe të rrezikshëm. Duke parë se situata po del jashtë kontrollit dhe pas rrahjes që më ndodhi mua kemi bërë një peticion, ku kemi kërkuar nga policia që të stacionojë një patrullë të përhershme në lagjen e tetë” tha Bllaca.

Bllaca ndërkaq është i befasuar me reagimin e vonuar të policisë dhe prokurorisë të cilët gati dy ditë e kanë lënë të lirë të dyshuarin kryesor Gramos Avdyli i cili tashmë ndodhet në paraburgim.

Sahit Abazi aktivist në lagjen e tetë tha për rajonipress se rrahja e Nexhat Bllacës është një akt kriminal dhe qyqar nga pesë të rinj motoristë.”Unë e gjykojë këtë akt të turpshëm dhe skandaloz dhe kërkojmë nga policia dhe prokuroria që të jetë më efikase në kapjen e kriminelëve kurse nga Gjykata kërkojmë që dënimet ndaj këtyre personave të jenë maksimal” tha Abazi./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›