Listat e reja zgjedhore të Ramës mbjellin sherr në fisin e Minxhozëve
Në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009, kryetari i Partisë Socialiste ka dy objektiva kryesore, të shpallura tashmë: shpreson t’i fitojë zgjedhjet dhe së bashku me to të spastrojë përfundimisht PS-në nga xhaketet e vjetra e efekti i liderit historik Fatos Nano në anëtarësinë e thjeshtë, duke kandiduar kësisoj të gjithë prurjet e reja në 3 vitet e fundit në selinë rozë si dhe ata pak socialistë që ditën t’i përshtaten deri diku me sukses matricës merkantile që imponoi kryebashkiaku. Projekti i parë me gjasë do të ketë një dështim mbase jo aq të bujshëm sa edhe ai që Rama e konsideron si udhërrëfyesin e tij ideologjik e programor, kreu i Partisë Demokratike në Itali, Valter Veltroni. Në një kohë që fati i të dytit ende nuk dihet me saktësi. E sigurtë për momentin është prania e një tensioni dhe ankthi të përgjithshëm që ka kapluar të gjithë selinë rozë dhe bashkinë e Tiranës, ku vegjetojnë ende kandidatët-delfinë për deputetë të kryesocialistit Rama në zgjedhjet e pas një viti. Temperaturat e larta që krijojnë kësi çështjesh kanë shoqëruar edhe qeverimin e PS-së nga Nano, megjithatë ky i fundit, më shumë se aftësitë diplomatike, ishte komoditeti që krijonte periodikisht në zgjedhjet e fundit dhe më gjegjësisht në ato të 3 korrikut 2005, skema antikushtetuese e Dushkut, diti t’i strehonte si jabanxhinj disa nga kandidatët tek partitë aleate të koalicionit të majtë. Ndryshimet e fundit në Kushtetutë në kuadër të reformës zgjedhore e kanë eleminuar mundësinë e aplikimit në një masë të gjerë të skemave të tilla, rëndom të preferuara prej kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi. Kësisoj afrimi i datës kur Rama duhet që të fillojë zyrtarisht skarcimin e të padëshiruarve dhe afrimin e atyre që në teori e pranojnë mendimin ndryshe por që mendim vetjak nuk kanë, po shoqërohet me një zallamahi në ambjentet partiake në qendër. Situata ka ndryshuar kaq shumë sa gjumin nuk po e bëjnë të qetë as ata që konsiderohen shpesh në publikë si përkrahës të linjës së kryetarit të ri. Kështu mësohet se Rama planifikon që në Mat vitin e ardhshëm të mos kandidojë deputetin aktual Qemal Minxhozi por kushëririn e tij, rekrutuar nga radhët e “shoqërisë civile”, Skënder Minxhozin. E në rast se dikush nga jashtë do mendojë se Minxhozi Plak do të ishte i lumtur me këtë ndërrim në minutat e fundit dhe për pasojë do të përjetonim një stafetë me të vërtetë solemne, është i destinuar që të zhgënjehet. Prej disa ditësh çështja e deputetllëkut është shndërruar në një mollë të vërtetë sherri në gjirin e Minxhozëve, të shquar dikur për shërbimin me devotshmëri ndaj nomenklaturës komuniste.