E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e zgjedhësve, Olli: Sistemi i njeh binjakët si dublikime

TIRANE – Binjakët bëhen shkak për ngatërresa në listat e zgjedhësve, ndërkohë që Ministria e Brendshme paralajmëron penalizime për të pakujdesshmit. Sistemi evidenton automatikisht si rekorde të dubluara individët me të dhëna të njëjta të gjendjes civile. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, deklaroi dje se konfirmimet po përcillen nga zyrat e gjendjes civile. Sipas tij, të dubluarit në pjesën më të madhe janë binjakët dhe po punohet për saktësimin në listat e zgjedhësve.

“Shumica e këtyre të ngelurve janë binjakë që kanë vazhduar të vijnë konfirmimet. Ne do të shkojmë shumë afër zeros për të mos thënë tek zero absolute. Shumica e informacioneve për personat që kanë ngelur të dubluar janë konfirmime që na vijnë nga zyrat e gjendjes civile, që janë binjakë. Sepse nëse u përputhet emri i babait, i nënës dhe ditëlindja, ne e quajmë dublim, pavarësisht se e kanë emrin e ndryshëm”, - deklaroi Poni në një intervistë të dhënë për “Albanian Screen”. Sipas tij, deri më 9 maj, kur do të publikohen listat përfundimtare për zgjedhjet e 23 qershorit, synimi është të mos ketë asnjë rekord të dubluar. Poni paralajmëron penalizim nëse nuk do të respektohet kodi për numrin e zgjedhësve në qendra votimi. Në kushte të tilla, zëvendësministri i Brendshëm apeloi dje që të respektohen procedurat e Kodit Zgjedhor, duke minimizuar çdo lloj pakujdesi me listat e zgjedhësve. Në këtë rast Ministria e Brendshme synon mbylljen brenda afatit të caktuar të listave të zgjedhësve, duke shmangur kalime të ndryshme për të cilat Poni ka dhe raste konkrete.

“Të respektojnë rigorozisht, pa asnjë cedim, Kodin Zgjedhor lidhur me numrin e njerëzve. Nganjëherë bëjnë kalime siç ishte rasti i Pezës, ku në 4 qendra votimi ishin mbi 700 mijë, pakujdesi fatale. Me sa di unë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të procedojë me masa ndëshkimore ndaj punonjësve, pse jo dhe ndaj zgjedhësve që janë të pakujdesshëm”, - u shpreh Poni. Numri i zgjedhësve në qendra votimi është përcaktuar në Kod, ku qendrat duhet të kenë nga 200 deri në 1000 zgjedhës, ndërsa në Tiranë deri në 700. Deri tani 10 qendra votimi, prej të cilave 4 në njësinë bashkiake, 5 rezultojnë se nuk e kanë zbatuar ligjin. Listat e zgjedhësve janë të publikuara tashmë edhe në web-in e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që deri në afatin e përcaktuar kushdo ka mundësi të bëjë verifikimet e duhura.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›