E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat mbyllen pas debatesh. Rama: Nga Vlora, rrugëtimi i Rilindjes

Fatjona Mejdini

Jashtë liste dy anëtarët e Kryesisë, Arben Malaj dhe Arben Isaraj

Fatjona Mejdini

Edi RamaPartia Socialiste depozitoi dje në afatet limit listat e kandidatëve të saj për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ashtu si edhe pritej, mbledhja e djeshme e kryesisë, që nisi në orën 20:00 dhe zgjati edhe për dy orë, u shoqërua me debate të shumta, ashtu siç pritej. Shkak për këto debate u bë pikërisht fakti se në listë nuk ishte përfshirë emri i deputetit socialist të Vlorës, Arben Malaj. Në mbledhjen me dyer të mbyllura Malaj ka replikuar ashpër në lidhje me këtë përjashtim, duke deklaruar se do të dilte si i pavarur. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se në krahë të Malajt ka dalë edhe deputeti Fatmir Xhafaj, i cili është përcaktuar të jetë i pesti në listën e Tiranës. Por debatet për këtë çështje janë mbyllur shpejt, si rezultat i faktit se Malaj ka dalë jashtë mbledhjes për ta shprehur indinjatën e tij përpara mediave. Por Malajn e ka ndjekur nga pas edhe deputeti Arben Isaraj, i cili katër vite më parë ka qenë në krye të këtij qarku, ndërsa këtë vit nuk figuron fare në listën me 15 emra të Vlorës. Ky qark i debatuar kryesohet nga Rama. Më pas, në listë vjen emri i Valentina Leskajt dhe vijon emri i botuesit Koço Kokëdhima. Për sa i përket qarkut më të madh në vend, atij të Tiranës, në krye të listës është Pandeli Majko, duke vijuar me Sajmir Tahirin dhe Vasilika Hysin. Në këtë listë, në një pozicion të sigurt është edhe emri i Pjerin Ndreut. Surprizat kanë vijuar në Qarkun e Korçës, ku lista kryesohet nga Bashkim Fino dhe e dyta vjen deputetja Arta Dade. Nga ana tjetër, deputeti i shumëpërfolur, Erjon Braçe, është vendosur i dyti në Qarkun e Fierit, pas Gramoz Ruçit që kryeson këtë qark. Qarku i Dibrës drejtohet nga Shkëlqim Cani dhe kjo gjë bëri që në ambientet rreth PS-së të kishte pak tension, si pasojë e faktit se ish-deputeti socialist, Ardit Kaja, i cili nuk ishte pjesë e kësaj liste shprehu tensionin e tij. Në këto lista, ashtu siç ishte premtuar, nuk kishte asnjë aleat të partive aleate, me përjashtimin e vetëm të përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, i cili u rendit i 11-i në Qarkun e Tiranës. Paraditen e djeshme, në një kohë kur Partia Socialiste gumëzhinte nga hamendësimet dhe sikleti i natyrshëm që shoqëron daljen e listave për deputetë, kreu i PS-së, Edi Rama, zgjodhi të dalë përpara medias për të shpjeguar mes të tjerash pse kishte zgjedhur që vetë të drejtonte listën e Vlorës. Kryesocialisti, i cili pritej të zgjidhte kandidimin në Tiranë dhe për shkak të faktit se e ka drejtuar këtë qytet për 11 vjet, shpjegoi dje se kandidimi në këtë qytet vinte për shkak të rëndësisë historike që kishte Vlora në historinë e Shqipërisë. Rama paralelizoi nevojën e hapjes së një kapitulli të ri për historinë e Shqipërisë me shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 1912-n, duke e quajtur këtë një mesazh që kalonte dhe në Prishtinë dhe prekte të gjithë shqiptarët që jetojnë në rajon. Përpara kësaj dalje publike, zyrën e tij, paraditen e djeshme, e vizituan më së shumti kryetarët e bashkive kryesore, të cilat drejtohen nga socialistët.

Edi Rama për Fatos Nanon

Fakti që gjërat kanë qenë gati, tregon që kështu duhet të ndodhte. Sigurisht që nuk është e re, nuk është hera e parë, besoj se është e fundit, që me Partinë Socialiste dhe me emrin e socialistëve të vërtetë, siç kanë qejf të thonë, luhet. Unë besoj se është e fundit. Ne jemi për Rilindjen. Gjithkush ka të drejtë ti japë shansin vetes të rilindë. Problemi është që Rilindja ka nevojë për një premisë themelore: duhet të ketë dritë. Nuk mund të ketë Rilindje në errësirë, për errësirën dhe nga errësira.

Ish-kryetari i PS-së sulmon ashpër pasardhësin e tij

Malaj, i pavarur, Nano: Unë kreu i fushatës së Arbenit

Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, u kthye dje në skenën politike aktive. Përfshirja e tij u bë publike dje në orët e vona të mbrëmjes, kur Kryesia e PS-së vijonte të diskutonte kandidatët për deputetë dhe kur pak minuta më parë nga kjo mbledhje kishte dalë i shqetësuar deputeti i Vlorës, Arben Malaj, duke deklaruar daljen si i pavarur. Në një intervistë për News24, Nano deklaroi se ai do të ishte tashmë pjesë e fushatës së Malajt në Vlorë, kundër listës së Edi Ramës dhe asaj të Sali Berishës. Sipas Nanos, ky moment kishte shënuar përfundimisht fundin e armëpushimit mes tij dhe PS-së. Kam pritur që PS-ja të bëjë detyrën opozitare, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nuk duhet të ndodhte largimi me dhunë i një figure jashtëzakonisht përfaqësuese si Malaj, kjo më ka bërë që ta ndërpres përfundimisht armëpushimin. Rikonfirmoj se i pavarur ose jo do të jem në krye të fushatës së zotit Malaj me gjithë forcën time socialiste, theksoi Nano, duke shtuar se do të jepte më shumë detaje për lëvizjen e tij sot në mesditë. Ai akuzoi ashpër Ramën për listën e zhvilluar, duke e vendosur theksin te kandidimi i botuesit Koço Kokëdhima. Familja politike e Berishës është përballë me familjen politike të Ramës dhe këto janë dy plane që nuk duhen lejuar të kthehen vdekjeprurëse për Shqipërinë, deklaroi Nano. Ai theksoi se investimi i tij do të ishte komplementar, pa pasur synim ti prishë punë në fushatë Ramës ose Berishës. Nano theksoi se lëvizja e tij kishte si qëllim të kthente në politikë profesionistët. Largimi i profesionistëve dhe politikanëve nga listat e zgjedhjeve, është një filament i djegur dhe unë këtu thyej çdo armëpushim me PS-në dhe familjen socialiste që i përkas, theksoi qartë Nano.

Listat mbyllen pas debatesh. Rama: Nga Vlora, rrugëtimi i Rilindjes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›