Listë-pagesa e radhës për 76 ish-të përndjekur që dëmshpërblehen
Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Albania” publikon sot listë-pagesën e radhës për dëmshpërblimin e 76 ish-të përndjekurve politikë. Janë 76 emra ish-të përndjekurish që do të dëmshpërblehen dhe që duke nisur nga sot duhet të paraqiten në bankat ku kanë hapur llogaritë e tyre për të tërhequr paratë.
Aktualisht janë dhe disa dosje me mangësi në dokumentacion, një pjesë e të cilave është duke u plotësuar. Qytetarët duhet të paraqiten në banka për të tërhequr paratë. Asnjë qytetar nuk mund të dëmshpërblehet nëse emri i tij nuk është i listuar me vendim të Këshillit të Ministrave, mbasi janë kufizimet ligjore të tilla dhe pikërisht Ligji Nr. 9831. dt.12.11.07, i ndryshuar në nenin 12, ku thuhet, ndër të tjera, se dëmshpërblimi gjatë fazës së parë të mos jepet më i madh se 1 000 000 lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet deri në marrjen e plotë të dëmshpërblimit, për të gjithë të dënuarit dhe familjarët e viktimave.
Këstet
Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve do të realizohet nëpërmjet kësteve për tetë vjet, ku shuma që ata do të marrin është 720 000 lekë të rinj për çdo vit burg që ata kanë bërë. Buxheti që është akorduar për dëmshpërblimin e plotë të të përndjekurve është 800 milionë USD, ku qeverisë i takon përkatësisht të shpenzojë 100 milionë USD në vit. Realizimi i këtij buxheti është bërë dhe do të vazhdojë që të bëhet nëpërmjet kredive të buta që ka marrë Ministria e Financave. Procesi, i cili pritet të mbarojë për tetë vjet, mendohet që të dëmshpërblejë gjithsej 3198 persona, të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin dhe kanë aplikuar për të marrë kompensimin. Të gjithë personat kanë dorëzuar dokumentacion të zgjeruar së bashku me dosjen që kanë pasur.
Dëmshpërblimi
Sipas ligjit, masa e dëmshpërblimit për çdo të dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2000 (dy mijë) lekë në ditë. Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1000 (një mijë) lekë në ditë. Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Universiteti i Tiranës
Mundësi për bursa studimi në universitetet perëndimore
Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me programin “Join EU-SEE” dhe programin “Basileus” (programe që konsistojnë në ofrimin e bursave për studentët dhe stafin akademik për studime në universitete të Europës Perëndimore) organizojnë disa aktivitete në datat 10-11 janar 2011.
Aktivitetet
Ditën e hënë, 10 janar 2011, në Fakultetin e Ekonomisë, ora 10:00 – 12:00 dhe 13:00- 15:30 do të zhvillohet panair në hollin e Fakultetit të Ekonomisë, kati i parë. Gjatë kësaj kohe studentët do të kenë mundësi të shohin më nga afër universitetet ku ato mund të studiojnë dhe të flasin personalisht me përfaqësuesit e 14 universiteteve europiane, të cilat janë: Universiteti i Grazit, Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Granadës, Universiteti i Leuven, Universiteti i Vilnius, Universiteti i Masaryk, Universiteti i Turku, Universiteti i Groningen, Universiteti Ghent, Universiteti i Romës “La Sapienza”. Ora 10:00 – 12:00 do të zhvillohet takimi me pedagogë dhe drejtues të universiteteve rreth programeve ndërkombëtare të mobilitetit dhe rëndësinë që ato kanë, prezantim i dy programeve “JoinEU-SEE” dhe “Basileus”, procedurat e njohjes dhe mekanizmave për parandalimin e “Ikjes së trurit”. Ora 13:30 - 15:00 do të zhvillohet një seancë informimi me studentët për aplikantët potencialë të këtyre programeve. Ditën e martë, më 11 janar 2011, në Fakultetin e Drejtësisë, në orën 10:00 - 12:00 do të zhvillohet një seancë informimi me studentët për aplikantët potencialë të këtyre programeve (Çfarë është Erasmus Mundus, aplikimet për JoinEU-SEE, seleksionimi dhe procedurat e njohjes).
8 Janar 2011