E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH, pensione suplementare për 364 pedagogë



Anilejda Shëmbitraku
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në vijim të masave të marra për zbatimin e Ligjit Nr. 10139, datë 15.5.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj”, informon se ky ligj ka hyrë në fazën përfundimtare të dhënies së përfitimeve për të gjithë personat që kanë aplikuar dhe vihen në kushte përfitimi. Deri tani kanë përfituar 364 persona dhe ky grup përfituesish ka nga ata persona që kanë dalë në vite në pension pleqërie dhe që përfitimet e tyre financohen direkt nga buxheti i shtetit, pasi kjo kategori nuk ka paguar kontribute suplementare.

Procesi
Në procesin e zbatimit të këtij ligji, sipas ISSH- së, janë shfaqur disa mendime të ndryshme në funksion të zbatimit të nenit 14 të këtij ligji, i cili saktëson se “personat që kanë të drejtë për më shumë se një lloj përfitimi nga ky ligj dhe nga ligje të tjera, si rrjedhojë e periudhave të ushtrimit të titullit, kanë të drejtë të zgjedhin përfitimin më të favorshëm”. Duke marrë shkas pikërisht nga këto paqartësi dhe për të pasur një zbatim unik të dispozitës, ISSH-ja sqaron se “personat me tituj shkencorë, të sipërpërmendur, mund të përfitojnë nga të dyja skemat, pra si nga skema suplementare për titull, ashtu dhe nga skema suplementare për funksion kushtetues, por jo për të njëjtën periudhë shërbimi, pra të mos ketë mbivendosje në kohë për përfitimet”. Kështu, një person ka fituar titullin “Profesor” dhe e ka ushtruar këtë titull në institucionet sipas ligjit, që nga viti 1980 deri më 31.12.1990. Ndërkohë, nga 01.01.1990 deri më 31.12.2001 ka ushtruar funksion kushtetues apo ka kryer detyrën në një institucion tjetër qendror (buxhetor). Nga data 01.01.2002 dhe deri në datën 01.01.2009 ka ushtruar titullin e profesorit dhe më datë 01.01.2009 ka dalë në pension pleqërie, pra ka dalë në pension pleqërie para datës 01.01.2010.

Përfituesit
Për të përfituar këtë lloj përfitimi (pension suplementar shtetëror), duhet që personat me titullin “Profesor” dhe “Drejtues kërkimesh” (grupi i parë), apo “Profesor i asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh” (grupi i dytë), të plotësojnë kriteret e pensionit të pleqërisë. Të gjithë personat që nuk kanë kontribuar dhe janë përfitues të një pensioni pleqërie, masa e pensionit suplementar të tyre nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit që ata marrin, pasi financohet nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, kjo kategori punonjësish do të paguajë 3.5 për qind të pagës bruto mujore si kontribut suplementar në rast se janë punonjës të institucioneve publike dhe 7 për qind të kësaj page kur janë të punësuar në institucione jopublike.

SHEMBULL
Llogaritja e pensionit suplementar

Llogaritja e përfitimit suplementar në këtë rast do të jetë si më poshtë vijon:
1- Për periudhën nga 1980 – 1991 dhe nga 2001- 2008 kryhen llogaritjet për përfitim të pensionit suplementar për titull, në mbështetje të Ligjit Nr. 10139, datë 15.5.2009;
2- Për periudhën 1991- 2001, personi ka të drejtë të përfitojë pension suplementar në mbështetje të Ligjit Nr. 8097, datë 21.03.1996, i ndryshuar. Pra personi, për periudha jo të mbivendosura kohore, do të përfitojë nga të dy skemat suplementare.
3- Në qoftë se përfituesi, për periudhën kohore 1991-2001, nuk bën zgjedhje të përfitimit sipas pikës 2, atëherë periudha kohore merret në konsideratë si periudhë shërbimi për tu llogaritur përfitimi suplementar në mbështetje të Ligjit Nr. 10139, datë 15. 05.2009.

MASA
Jo më e vogël se 6% e pagës referuese

Masa e pensionit suplementar do të jetë 1.3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë 1-vjeçare të ushtrimit të titullit “Profesor” dhe 1.1 për qind e pagës refereuese për çdo e përiudhë 1-vjeçare të ushtrimit të titullit “Asistent profesor”. Ligji ka vënë tavan për masën e përfitimit dhe shuma e pensionit suplementar bashkë me përfitimet nga pensioni i pleqësisë nuk mund të jetë në asnjë rast 4 herë më e madhe se sa katër pensione bazë pleqërie. Përsa i përket masës së pensionit suplementar, nuk mund të jetë asnjëherë më e vogël se 6 për qind e pagës referuese.

Dokumentet
Ja çfarë duhet të dorëzohen për përfitim pensioni:

1- Kërkesa për pension suplementar, e cila do merret pranë inspektorit të përfitimeve suplementare dhe do të plotësohet nga personi përfitues.
2- Fotokopje e kartës së identitetit, e nënshkruar nga personi emër, mbiemër, firmë.

3- Deklaratë personale sipas modelit nëse merr ose jo përfitime nga skema të tjera suplementare shtetërore.
4- Fotokopje e noterizuar e dëshmisë për dhënien e titullit ose në mungesë një vërtetim për titullin shkencor, të lëshuar nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor ose nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve.

5- Vërtetim për pagën referuese në fuqi, në momentin që lind e drejta, sipas radhës së gëzimit të titujve shkencore.

6- Vërtetim nga qendra e punës për kontributet suplementare të paguara nga data 01.01.2010 deri në datën e lindjes së të drejtës.

7- Vërtetim nga DRSH për masën e pensionit të pleqërisë që përfiton sipas Ligjit Nr. 7703.

8- Vërtetim nga DRSSH nëse përfiton ose jo pension suplementar shtetëror.

9- Vërtetim për kohën e gëzimit të titullit.

8 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›