E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpool do të bëjë kërdi

Nga Express më 01 maj 2011 në ora 21:36

Luis Suarez beson se reparti sulmues i Liverpoolit do të bëjë kërdi sezonin e ardhshëm, nëse kualifikohen për në Europa League.

Përforcimi i ri, i ardhur nga Ajaxi gjatë afatit kalimtar të janarit për 23 milionë funte, është adaptuar mirë në Premierligë dhe është i bindur se Liverpool është duke u përmirësuar.

Ylli uruguaian ka këshilluar tifozët të përcjellin fuqinë sulmuese të Liverpoolit duke filluar nga tri javët e mbetura të këtij sezoni.

Suarez tashmë është përshtatur mirë me përforcimin e ri, Andy Carroll dhe Dirk Kuyt e Maxi Rodriguez, që po ashtu kanë dhënë kontribut.

“Liverpool ka një repart sulmues që mund të çmendë mbrojtësit kundërshtarë dhe sezonin e ardhshëm do të shihni se çka mund të bëjmë. Shumëkush na ka përjashtuar këtë sezon, por ne mund të përfundojmë të pestit dhe të luajmë në Europa League, që do të ishte e shkëlqyeshme”, tha Suarez për The People.

“Gara është me Tottenhamin dhe nuk do të jetë lehtë, por ne duhet të luftojmë deri në fund të sezonit. Do të jetë një përfundim interesant”, shtoi Suarez, i cili lavdëroi punën e menaxherit Kenny Dalglish, i cili pritet të konfirmohet në detyrë në fund të këtij sezoni.

“Kam mësuar shumë gjëra nga Kenny. Ai është trajner i veçantë dhe ne duam të përfundojmë sezonin në mënyrë pozitive, por edicioni i ardhshëm do të jetë më i mirë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›