Liz Taylor, Mbyllen përgjithmonë sytë vjollcë të Hollywood
Hollywood mbeti jetim me humbjen e divës së fundit të epokës së artë të kinemasë amerikane. Ka vdekur dje në moshën 79-vjeçare “macja me sytë vjollcë” e ekranit të kinemasë, Elisabeth Taylor (Elisabet Tejlor), e cila prej kohësh vuante nga zemra. Aktorja ishte shtruar në “Cedar Sinai Medical Center” në Los Anxheles pak ditë më parë. Ajo vdiq e rrethuar nga 5 fëmijët e saj; Michael Wilding, Christopher Wilding, Liza Todd, Burton e Maria. “Mamaja ime - tha i biri Michael - ishte një grua e mrekullueshme, që e ka jetuar jetën deri në fund me një pasion të madh, me buzëqeshje dhe dashuri. Edhe pse ajo u nda prej të gjithëve ne, shembulli i saj do të jetë gjithmonë inspirues. Gjithçka që ajo ka bërë në jetë na bën të ndihemi krenar. Ajo çfarë la trashëgim, nuk do të perëndojë kurrë; shpirti i saj do të jetë gjithmonë pranë nesh dhe dashuria e saj do të jetojë gjithmonë në zemrat tona.”- tha përmes lotëve i biri Michael Wilding. Përveç 5 fëmijëve, Liz Taylor ka lënë pas edhe 10 nipër e mbesa dhe 4 stërnipër.
Liz Taylor u lind në Angli nga prindër amerikanë. Aktorja rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 7-vjeçare. U pikas nga regjisorët për bukurinë dhe sidomos sytë ngjyrë vjollcë plot shkëlqim që në moshën 10-vjeçare, kur debutoi në një film me metrazh të shkurtër. U bë më pas fëmija më i njohur në Amerikë, kur në vitin 1943 u bë protagoniste në filmin “Lesi” (qeni i zgjuar me të cilin kanë kaluar fëmijërinë një brez i tërë). Ndryshe nga çfarë u ndodhi atyre aktorëve që e nisën karrierën në moshë shumë të re, Liz - të cilën të gjithë e thërrisnin kështu edhe pse ajo vetë pat deklaruar që preferon të thirret Elisabet - nuk e la veten që të binte pre e popullaritetit të shpejtë.
Kinematografia
Në vitin 1946 në filmin “Jeta me babain” e Michael Curtiz, ajo interpreton sërish rolin e një adoleshenteje, por në filmin “Gra të vogla”, tre vjet më vonë, Mervin LeRoy ajo shfaqet si një zonjë në pritje të dashurisë dhe në dy vitet që pasuan “martohet” në filmin “Babai i Nuses” (1950) dhe bëhet nënë një vit më vonë në filmin “Babai bëhet gjysh”(1951) për t’u transformuar më pas në gruan fatale Angela Vickers, që rrëmben zemrat e të gjithë burrave në filmin “Një vend pranë diellit” (1951), e regjisorit George Stevens.
Karrierë e suksesshme, kurorëzuar me Oskar
Pas kësaj, suksesi i madh i troket në derë. Nga ky moment Liz Taylor është e destinuar të interpretojë personazhet femërore të mbërthyer nga dashuria, gra pasionante të vetëdijshme emocionalisht dhe të gatshme për të sakrifikuar gjithçka për ndjenjat e tyre. Mjaftonte prezenca e saj në një film, që ai të ishte i suksesshëm. “Hera e fundit në Paris” e vitit 1954, e Richard Brooks; “Gjigandi” (1956), e Gerogre Stevens; “Pema e jetës” (1957), e Eduard Dmytryk; dhe “Befas verën e kaluar” (1959) e Joseph Mankiewicz; janë të gjithë filma të suksesshëm që e nominuan atë për çmimin “Oskar”. Statujën do ta fitonte në vitin 1960 me filmin e Daniel Mann “Butterfield”. Në film Liz Taylor është një prostitutë, e paqëndrueshme edhe joshëse; një personazh shumë larg personazheve femra me moral të fortë të interpretuara deri në atë moment prej saj.
Jeta e trazuar dashurore
Në të njëjtën kohë edhe jeta e saj private nuk është aq larg jetës së personazheve kinematografike që ajo ka interpretuar gjatë gjithë karrierës së saj. Në vitet ’60 ajo jetonte martesën e saj të katërt (gjatë jetës ka patur 7 burra) me këngëtarin Eddie Fisher. Vinte në këtë martesë pas divorceve me Conrad Hilton Jinior, trashëgimtar i familjes Hilton, me aktorin Michael Wilding dhe producentin Mike Todd, i cili vdiq në një aksident ajror.
Kleopatra dhe takimi me dashurinë e jetës, Richard Burton
Në vitin 1963 ajo është ylli i kinematografisë, më e paguara e të gjitha kohërave, duke arkëtuar një shumë prej 1 milionë dollarësh për interpretimin e Kleopatrës, e regjisorit Joseph Mankiewicz. Filmi i prodhuar nga 20th Century Fox nuk ka në fakt suksesin të cilin të gjithë shpresonin. Pavarësisht kësaj, në set aktorja Taylor takon dashurinë më të madhe të jetës së saj, Richard Burton (Riçard Burton), që në film interpretonte Marco Antonio-n. Burton dhe Taylor u divorcuan 2 herë në vitin 1964 dhe në vitin 1974. Dashuria e tyre ishte një dashuri si nëpër libra, përshkruar përmes kontrasteve, entuziazmit, depresionit, grindjeve, dëshpërimit, pajtimit e lotëve të ndarjes së pakthyeshme. Historia e tyre ishte “ar i pastër” për tabloidet rozë; në këtë drejtim Taylor-bashkë me Merilyn Monroe- janë konsideruar si imazhet që inauguruan një “stil” të ri gazetarie, atë të publikimit të thashethemeve për VIP-at.
Largimi nga ekrani
Në vitin 1966 sërish “Oskar” për Liz Taylor, për interpretimin e saj në filmin “Kush ka frikë nga Virginia Woolf” e Mike Nichols. Për këtë rol Liz nuk heziton aspak që të shtojë në peshë deri dhe të lyejë flokët në ngjyrë gri. Sot diçka e tillë mund të tingëllojë normale, por anë atë kohë të shëmtoheshe për një film-e mbi të gjitha ajo, e cila ishte simbol i bukurisë fizike- ishte një risk i madh. Pas interpretimit “Reflections in a Golden Eye”, ku ajo interpretoi përkrah Marlon Brando, producentët dhe regjisorët nuk arrijnë t’i ofrojnë ndonjë rol të vlefshëm për të, e dalëngadalë në vitet ’70 ajo është gjithnjë e më larg ekranit të kinemasë. Në vitin 1980 i ofrohet një rol shumë gazmor, i një aktoreje të moshuar kapriçioze në filmin “The Mirror Crack'd”, i G. Hamilton, por menjëherë pas kësaj daljet e saj në ekranin e kinemasë bëhen gjithnjë e më të rralla, sepse bashkë me Burton-in i dedikohet më shumë teatrit dhe televizionit. Do ta shohim në kinema në vitin 1974, nën drejtimin e Giuseppe Patroni Griffi në filmin “Identikit” dhe në vitin 1994 në filmin “Flintstones”, me regji të Brian Levant. Ndërkohë martohet edhe 2 herë; në vitin 1976 me senatorin John Warner dhe në vitin 1991 me Larry Fortensky.
Sëmundjet…
Një jetë e mbushur plot dashuri dhe suksese, por dhe sëmundje. Shtatë operacione në shpinë, që e detyruan për vite me radhë që të lëvizte me karrocë, heqja e një kanceri në tru, një tumor në lëkurë dhe dy pneumoni të rënda. Megjithatë, ajo ishte një grua e fortë; kurajoze deri në atë pikë sa shpëtoi i shpëtoi jetën mikut të saj Montgomery Clift, gjatë një aksidenti me makinë, pasi i kishte hequr dy dhëmbë nga goja.
Pas vdekjes së Rock Hudson-it në vitin 1985, miku i tij i përhershëm bëhet një nga promotoret më aktive në mbledhjen e fondeve kundër sëmundjes së shekullit, AIDS. Një tjetër raport intensiv ishte ajo me Michael Jackson (Majkëll Xhekson) edhe pse Liz nuk ishte prezent në funeralin e këngëtarit.
Ylli i fundit i Hollywood-it
Që nga dita e djeshme, një yll në qiellin Hollywood nuk ndriçon më. Liz Taylor ishte ylli i fundit që kishte mbetur gjallë nga epoka “e artë” e kinemasë amerikane, kur për të qenë një Dive nuk ishte e domosdoshme të tregojë talentin me çdo kusht, madje as të impenjoheshe në fushata humanitare. Atëherë ishe Div, sepse e tillë lindje. Mjaftonte një shikim për të vënë poshtë konkurrentët. Dhe sytë e saj kishin pushtet mbi çdo gjë. Vërtet mëkat që ata sy të mbyllen përgjithmonë. Përgatiti: Aida Tuci