E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magjia e zezë “kryqëzon” Timo Fllokon me Eva Alikajn

SHKRUAN: Aida Tuci 24-03-2011 12:05

“Shtrigat e Salemit” e Arthur Millerit rikthen në skenën e teatrit aktorin Timo Flloko përkrah një tjetër aktoreje akoma të dashur për publikun, Eva Alikajn. Flloko do të interpretojë rolin kryesor, atë të Xhon Proktorit, ndërsa Eva Alikaj do të luajë Elisabetën, gruan e Proktorit. Premiera do të shfaqet sot në Teatrin Kombëtar. Kjo vepër ka thyer dhe rekordin e kastit më të madh në numër të aktorëve që do të ngjiten në skenë. Në projektin e regjisorit Duni janë përfshirë rreth 21 aktorë. Një debutim do të jetë edhe ajo e Elia Zaharias, e cila do të interpretojë rolin e Abigeilit. Sigurisht që për Elian, edhe pse është rritur nga një nënë aktore (vajza e aktores Yllka Mujo), e konsideron fat faktin që regjisori e përzgjodhi për këtë rol. “E falënderoj sot dhe gjithmonë regjisorin që më dha mundësinë të interpretoj në skenën e teatrit. Duke qenë se është hera ime e parë, është normale që emocionet janë të mëdha, por të ngjitesh në skenë me një rol kaq të plotë dhe me këtë kast aktorësh, mendoj se është diçka me shumë përgjegjësi.” - tha ndër të tjera debutantja Zaharia. Ndërsa Eva Alikaj, aktorja që vitet e fundit i është rikthyer skenave shqiptare, e ka të vështirë të flasë për rolin e saj para premierës. “Unë jam aktore dhe luaj rolin, ndërsa publiku është ai që vendos nëse unë e kam luajtur mirë atë rol apo jo.”- shprehet aktorja Alikaj, duke mos dashur të komentojë më gjatë për rolin e Elisabetës dhe punën për 45 ditë përkrah aktorit Timo Flloko. Ky i fundit rikthehet në teatër sërish me një vepër të Arthur Millerit, pas interpretimit në dramën “Pamje nga Ura”. Për Timo Fllokon kjo është thjesht rastësi, pavarësisht vlerësimit që ai ka për veprat e Arthur Millerit. “Shtrigat e Salemit” është një vepër e fuqishme, ku në qendër është konflikti i brendshëm që përjetojmë si individë”- shprehet Flloko. Sigurisht që regjisori Spiro Duni është dhe ai që ka mbajtur peshën e vënies në skenë të kësaj vepre dhe që pret që ajo të mirëpritet nga publiku në premierën e sotme. “Kemi punuar për rreth 45-50 ditë për të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar një vepër që i përket shekullit të kaluar. Besoj se me këtë vepër ne kemi sjellë paranojën dhe fatin tragjik të individëve, që flasin e ndeshen me veten e të tjerët në një botë agresive dhe të egër. Është bërë një punë e madhe si nga ana e aktorëve, që përveç talentit kanë dhe ambicien për të sjellë një vepër që t’i pëlqejë publikut” - u shpreh ndër të tjera regjisori Spiro Duni. Përtej kësaj, Duni ka realizuar edhe atë që në skenën e teatrit duket e vështirë për ta sjellë; aktorët e karrierës përkrah aktorëve të rinj. Në fakt ai ka tentuar të sjellë ndërthurjen e brezave të ndryshëm të aktorëve të skenës së teatrit. Një pjesëmarrje e veçantë është ajo e aktores Drita Pelingu, që Spiro Duni e ngjit sërish në skenë pas kaq vitesh, për të ardhur tek aktorë të tjerë të skenës, si Fatos Sela, Vasjan Lami, Mehdi Malkaj e për të vazhduar me aktorët e rinj të afirmuar tashmë, si Neritan Liçaj, Eni Jani, Ermir Sina, Eriona Kakali, Sokol Angjeli, Flaura Kureta etj. Me një skenografi mjaft interesante, ku në qendër të skenës skenografi Bashkim Ahmeti ka ngritur “vendin e ekzekutimit” të të akuzuarve si “shtriga” në qytetin e humbur të Salemit, ndërsa kostumet, që do të sjellin atmosferën e shekullit të kaluar, i janë besuar Anila Zajmit. Premiera e parë e sezonit për këtë vit, "Shtrigat e Salemit" të Artur Millerit, me regji të Spiro Dunit, do të shfaqet në Teatrin Kombëtar më 24, 25, 26 dhe 27 mars ora 19.00.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›