E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Ndryshimet e sotme e kanë zanafillën tek 22 marsi

TIRANË Plot 19 vjet nga dita e parë e fitores së PD-së, Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, kujton se 22 marsi ishte dita kur brenda një 17-vjeçari lindi një betim i heshtur, ai i çuarjes sa më para i aspiratave të PD-së. Asokohe, vetëm një 17-vjeçar që mori pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e 22 marsit, ndërsa sot kandidat për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, deklaroi dje në koncertin festiv të organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike se, sot 19 vjet më pas, Shqipëria e ka zëvendësuar skamjen me progresin, pasigurinë me anëtarësimin në NATO, izolimin me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. ”Të arrinim tek lëvizja e lirë nuk ishte e lehtë, kishim shumë pengesa dhe paragjykime që duheshin kapërcyer, kujtimet e eksodeve masive, dramatikisht të freskëta, keqinformimet negativiste të qëllimshme nga vetë brenda vendit nuk mungonin, por ne kishim dhënë fjalën dhe unë së bashku me ju pata shansin, nderin dhe privilegjin që të japë ndihmën time, për kapërcimin e kësaj pengese të padrejtë për shqiptarët, lëvizjen e lirë për shqiptarët europianë”, - tha Basha, duke kujtuar se ky ishte hapi që u nis që në mars të vitit 1992. Basha tha gjatë fjalës së tij se ndryshimet e sotme e kanë zanafillën pikërisht tek 22 marsi. “Prandaj edhe pse pata privilegjin të jem ministër i Jashtëm, kur u anëtarësua Shqipëria në NATO, edhe pse me 50, nga qindra mijëra studentë shqiptarë, hodhëm hapin e parë si qytetarë të lirë më 15 dhjetor 2010, asgjë nuk ka lënë mbresa më të pashlyeshme, gjurmë më të thella tek unë, Lulëzim Basha, sesa certifikimi i fitores së 22 marsit 1992, si vëzhgues 17-vjeçar...”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›