E Diel, 1 Nëntor 2026

Llafe konferencash/ Nishani: Ka gjyqtarë e prokurorë që jetojnë në luks. Llalla: Do i hetojmë

Bujar-Nishani-Adriatik-Llalla-320x240Të ndodh shpesh këto ditë që të shohësh njerëz të drejtësisë, që nga gjykatat e shkallës së parë e deri tek presidenti, duke folur ndoshta për plagën më të madhe në vend, mungesën e drejtësisë.

Ulen në salla konferencash në hotele luksoze dhe ankohen se drejtësia është në gjendje të mjeruar. Më pas angazhohen se do bëjnë namin dhe do rikthejnë besimin tek drejtësia.

Kështu ndodhi edhe sot, kur njerëzit e drejtësisë u mblodhën për të përshëndetur largimin e misionit të BE në ndihmë të drejtësisë, Euralius.

Ra në sy se presidenti Bujar Nishani, i vënë nën akuzë për emërimet e tij në sistemin e drejtësisë, tha se ka gjyqtarë dhe prokurorë që jetojnë në një luks të pajustifikuar.

Menjëherë u përgjigj kryeprokurorin Adriatik Llalla, që tha se do të hetohen këto raste. Madje shtoi se është në dijeni të disa hetimeve.

Por të gjithë e dinë se këto janë llafe konferencash. Nishani e gradoi së fundmi një gjykatës që u vendos në qendër të një skandali pasi një i afërmi i tij merrte para për të liruar vrasësit nga burgu, duke përdorur ndikimin e gjyqtarit. Skandali nxori në pah se është thuajse e pamundur që të hetosh një gjyqtar për shkak se i gjithë sistemi është kthyer në një korporatë me fizionominë e një klani mafioz. E pati thënë vetë ish- kryeprokurorja Ina Rama./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›