E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llafe për Veriun

Deputetët e opozitës me bojkot, e të pozitës me mospjesëmarrje të mjaftueshme në seancë kanë bërë që Kuvendi të mos dalë me kurrfarë qëndrimi për situatën në Veri. Përfaqësuesit e popullit vetëm folën, analizuan, konstatuan dhe akuzuan njëri–tjetrin. Kryeministri Thaçi e quajti “thikë pas shpine” largimin e deputetëve nga salla kur ai filloi të fliste.

Fjalë, analiza, konstatime dhe akuza mes opozitës dhe Qeverisë.

Kjo ishte përgjigjja për situatën në Veri, e dhënë nga deputetët e PDK’së, LDK’së, Vetëvendosjes, AAK’së dhe partive të tjera.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga PDK’ja ka përfunduar pa kurrfarë rezultati, derisa deputetët kanë folur për Veriun më shumë se katër orë.

Në kërkesën për debat ishte paraparë që pas shterimit të diskutimeve, në bashkëpunim me shefat e grupeve parlamentare, do të harmonizohej një tekst me rekomandime dhe në fund do t`i paraqitej Kuvendit për votim dhe miratim.

Por, në fund të seancës nuk pati as deklaratë, ku do të dënohej akti kriminal ndaj Selver Haradinajt, i vrarë para një jave në Veri të Mitrovicës.

Ndryshe, deputetët e opozitës e kanë braktisur seancën në momentin kur ka dalë të flasë Kryeministri Hashim Thaçi, kurse deputetët e partive në pushtet me mospjesëmarrje nuk kanë arritur kuorumin për të marrë ndonjë vendim në Kuvend.

Fjalimin e Kryeministrit e kanë dëgjuar më pak se 50 deputetë.

“Në seancë janë vetëm 42 deputetë”, ka thënë Jakup Krasniqi, derisa ka udhëhequr mbylljen e seancës plenare.

Largimin e opozitës e ka komentuar Kryeministri, i cili ka thënë se do t`i ruajë disa pyetje për partitë opozitare.

"Do të dëshiroja që ata që flasin për përdorimin e forcës nga opozita, të jenë brenda, por pasi janë përcaktuar të qëndrojnë në korridore, është çështje e tyre. Gjithashtu edhe për zhurmën dhe terrorin psikologjik që kanë bërë, të ishin brenda, të ballafaqohen me argumentet", ka thënë Thaçi, para deputetëve të pozitës.

Derisa Thaçi ka folur, në seancë ka hyrë Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi.

“Nuk guxon me nejtë”, i ka thënë deputeti i PDK’së, Ramiz Lladrofci, ish-kolegut nga AAK’ja, i cili ka marrë kartelën e deputetit dhe ka dalë nga seanca.

Megjithëkëtë, Thaçi ka thënë se largimi i opozitës tregon seriozitetin për situatën në Veri.

“Bojkoti ndaj këtij debati është thjesht një thikë pas shpine, pas gjithë asaj zhurme politike që kanë bërë duke pretenduar për të terrorizuar qytetarët, një terrorizim politik elektoral".

Ndryshe, partitë opozitare kanë hedhur akuza në drejtim të Qeverisë, nga e cila kanë kërkuar të reagohet në Veri.

Krahas fjalimeve të deputetëve, edhe shumica e ministrave të kabinetit kanë folur për Veri.

Ministri i Punëve të Brendshme ka lexuar raportin e Policisë se si është vrarë Selver Haradinaj dhe ka thënë se nëse rrezikohet jeta e qytetarëve në Veri, do të ndërhyjnë institucionet e Kosovës.

E, Ministri i FSK’së, Agim Çeku ka folur për një trajtim të veçantë të Veriut.

“Paga e doganierit të Kosovës nuk duhet të jetë njësoj sikur ne Elez Han, sikur në Jarinje. Nuk duhet të trajtohet njësoj polici që punon atje me policin që punon në vende të tjera të Kosovës”, ka thënë Çeku.

Por, deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se problemi në Veri nuk duhet të zgjidhet, duke përdorur dhunën dhe njësitë speciale të policisë.

Deputeti Petar Miletic ka thënë se Veriu është problem politik dhe si i tillë duhet të trajtohet.

“Dialogu është zgjidhja e vetme”, ka thënë Miletic.

Por, zgjidhja e situatës në Veri, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, është largimi i Qeverisë, derisa Ardian Gjini i AAK’së tha se Qeveria duhet t`i mbledhë “plaçkat dhe të largohet”.

Takimet me ministrat e Tadicit

Në mungesë të deputetëve të opozitës, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ka disa çështje që ka dashur t`i sqarojë me deputetët e LDK’së, AAK’së dhe Vetëvendosjes.

Pa e përmendur emrin e Shpend Ahmetit, Kryeministri ka thënë se Vetëvendosja duhet të sqarojë takimet e Nënkryetarit të tyre me ministrat e Boris Tadicit.

"Le të tregojë Vetëvendosja që Zëvendëskryetari i Vetëvendosjes është takuar me ministrat e Presidentit serb, Boris Tadic. Takime gjysmë të fshehura dhe gjysmë të hapura", ka thënë Thaçi.

“Ardiani dhe disa deputetë të mazhorancës e dinë këtë”, ka shtuar ai.

Por, ka reaguar Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se asnjë zyrtar i Lëvizjes nuk mban takime të fshehta dhe se nuk kanë kurrfarë agjende të fshehtë.

Ahmeti, pa e specifikuar vendin, ka thënë se ka marrë pjesë në forume dhe konferenca ndërkombëtare dhe aty ka shprehur qëndrimet e Vetëvendosjes, pavarësisht se kush ka qenë prezent.

“Ato çka i themi publikisht, i themi edhe në të gjitha forumet e tjera, qofshin ato në Kosovë, apo ato ndërkombëtare, pa marrë parasysh se kush është prezent. Në qoftë se Kryeministri po i referohet ndonjë konference ndërkombëtare ku kemi marrë pjesë, le t’i pyesë edhe përfaqësuesit e partisë së vet se çka ka thënë Vetëvendosja në ato konferenca për dialogun me Serbinë, për tregtinë e lirë me Serbinë, për strukturat ilegale serbe në Kosovë, për fusnotën, për Veriun dhe kompromiset e tjera që ai i ka bërë dhe do t’i bëjë si kryeministër në emër të Republikës, dhe në dëm të shtetit dhe popullit tonë. Këto ne do të vazhdojmë t’i themi, kudo që jemi dhe në prezencë të kujtdo tjetër”, ka thënë Ahmeti në një përgjigje për Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›