E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretohet Akani

Akan Ismaili është Ambasador i ri i Kosovës në Washington. Ismaili të mërkurën i ka marrë letrat kredenciale nga Presidentja Jahjaga, të cilat më 2 maj do t’ia dorëzojë Presidentit Barack Obama. Deri më tani, detyrën e Ambasadorit në SHBA e ka kryer Avni Spahiu, i cili sipas të gjitha gjasave, do të transferohet në Holandë.

Akan Ismaili është Ambasador i ri i përhershëm e fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është bërë e ditur nga Presidenca e Kosovës, e cila ka pritur të mërkurën Ismailin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajn.

Ismaili zëvendëson Ambasadorin Avni Spahiu, i cili sipas Presidencës, është dekretuar në një detyrë të re.

Express ka mësuar se tash e tutje, Spahiu do të shërbejë si Ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Holandës.

Presidenca ka bërë të ditur se Ambasadori Ismaili do t’ia dorëzojë letrat kredenciale Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, më 2 maj në Washington.

“Me këtë rast, Ambasadori Ismaili i ka marrë letrat kredenciale nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja Jahjaga e udhëzoi Ambasadorin Ismaili që t’ia përcjellë dëshirat e saj më të mira Presidentit Obama për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të avancuar dhe dinamizuar marrëdhëniet speciale ndërmjet dy vendeve”, ka njoftuar MPJ’ja.

“Presidentja Atifete Jahjaga foli për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndihmën dhe për përkrahjen që Qeveria dhe populli amerikan i ka dhënë e po i jep Kosovës dhe e porositi ambasadorin që të punojë me përkushtim që këto marrëdhënie të përparohen e zhvillohen në interesin e të dy vendeve”, thuhet ndërkaq në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme në njoftimin e saj për media, ka bërë të ditur se Ambasadori Ismaili para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ketë takime edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj kishte filluar vitin e kaluar, pas propozimeve të Qeverisë së Kosovës.

Pasi Qeveria kishte propozuar listën me emra të kandidatëve për ambasadorë, sipas procedurës, Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme i kishte intervistuara ata.

Më pas, vlerësimi i Komisionit ishte dërguar në Presidencën e Kosovës. E sipas ligjit, Presidentja i ka dërguar emrat e kandidatëve në vendet nikoqire për të marrë pëlqimin e tyre.

Deri më tani, nga kandidatët e propozuar, Presidentja ka dekretuar vetëm Sylejman Selimin, Ambasador në Shqipëri dhe Akan Ismailin në Washington.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›