Llalla: Prokuroria shpesh mbron shkelësit e ligjit
Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, sulmoi dje prokurorinë për shqyrtim selektiv të kallëzimeve që ky institucion ka bërë për zyrtarë të lartë. Në një prononcim për mediat, Llalla tha se "në disa raste për të cilat ne kemi paraqitur kallëzim në organet e prokurorisë disa zyrtarë janë dërguar për gjykim. Vlen të theksoj se prokuroria s‘ka qenë në të gjitha rastet e paanshme në trajtimin e rasteve që u kemi dërguar. Në rastet e zyrtarëve të lartë ka pasur trajtim të njëanshëm duke i lehtësuar". Duke analizuar punën e institucionit, Llala tha se vihet re një ndërgjegjësim i zyrtarëve të nivelit të lartë për plotësimin e deklarimeve. "Mund të konsiderojmë parregullsi dhe vështirësi në plotësimin e deklarimeve vetëm nga zyrtarë të nivelit të ulët të zonave periferike", u shpreh ai. Në vlerësimin e Llallës, të gjithë zyrtarët e tjerë përmbushin detyrimin e tyre sipas ligjit. "Ne kemi bashkëpunuar shumë me median dhe shoqërinë civile, kemi marrë informacione nga numri ynë pa pagesë. Në rastet e politikanëve të nivelit të lartë, kur qytetarët sjellin informacion se fshihet pasuria gjithçka është ballafaquar me zyrtarët", konstatoi Llalla.