E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e pasigurt e Sarah Palin

Çfarë do të bëhet kur "të rritet" Sarah Palin? Dy javë që nga dorëheqja e saj si guvernatore e shtetit të Alaskës, kjo mbetet një mister amerikan. Për momentin i është rikthyer një prej pasioneve të saj, peshkimit në liqenin Lucie, afër të cilit ndodhet edhe kopshti i shtëpisë në Wasilla, vendi i saj i lindjes. Por, me siguri që është duke projektuar diçka. Pasi preku nga afër politikën kombëtare si kandidate për zëvendëspresidente në krah të republikanit John McCain, shijoi adhurimin e sinqertë të republikanëve që ishin anti-abortit dhe të shumë besimtarëve. Tani, askush nuk beson se Sarah Palin ka vendosur të tërhiqet në veri të Alaskës për të peshkuar, për të gjuajtur, apo për t‘u shfaqur rrallë në televizion si një ish-guvernatore dhe si një nënë e mirë për pesë fëmijët e saj. Sarah Palin pëlqen të na habisë. Këtë bëri edhe më 3 korrik, kur i thirri gazetarët në një konferencë për shtyp, për t‘u dhënë atë që me siguri do të shfaqej në faqen e parë të gazetave të nesërmen, më 4 korrik, pikërisht në ditën e pavarësisë së Amerikës. Lamtumira e saj nga detyra e guvernatores ishte një "kryevepër" e pamenduar. Në fund, askush nuk ishte në gjendje të tregonte se çfarë do të bënte ajo pas 31 korrikut, kur detyra t‘i kalojë zyrtarisht zëvendësit të saj, Sean Parnell. Pasi bëri të ditur largimin 18 muaj para përfundimit të afatit dhe bindjen për mosrikandidim në zgjedhjet për guvernator në fund të vitit 2010, Palin tha: "Do të ndihmoj të tjerët që kërkojnë t‘i shërbejnë vendit, me ose pa funksione publike, me një program të drejtë dhe pa marrë parasysh se në çfarë partie bëjnë pjesë, nëse janë nga Alaska apo vende të tjera". Por cili është drejtimi që ka marrë tashmë Sarah "barracuda", siç e quanin kur ishte e re dhe luante basketboll? E vetmja e dhënë e sigurt është një kontratë milionere që 45-vjeçarja Palin ka nënshkruar për një libër me kujtime, ku natyrisht një armë e fortë është karriera e saj politike: nga këshilltare e bashkisë në Wasilla në vitin 1992, në kryetare e bashkisë së kësaj qyteze në vitin 1996, guvernatore e Alaskës në 2007-ën dhe kandidate për zëvendëpresidente e SHBA-së në vitin 2008. Jashtë nuk do të lihen edhe shumë nga çështjet e saj familjare. Por, ajo e Sarah nuk është një kontratë e zakonshme, sepse kujtimet e saj do të shkruhen nga gazetarja e së përditshmes konservatore, "World", Lynn Vincent dhe do të botohen nga e famshmja "HarperCollins". Po politika? Çfarë fsheh projekti i saj për të sfiduar Barack Obama-n në garën e vitit 2012 për zgjedhjet presidenciale në Amerikë? Nëse duhet të arsyetojmë duke ndjekur fillin e racionalitetit politik dhe precedentëve historikë, duhet të përgjigjemi se nuk ka elementë që tregojnë se Sarah Palin u largua nga posti i guvernatores për të përballuar sfidën më të madhe të politikës amerikane. Nga ana tjetër, që në fillim është menduar se Sarah ishte zgjedhur rastësisht në rrugën për t‘u bërë zëvendëspresidente. Kështu, kur John McCain e zgjodhi si shoqen e tij për aventurën elektorale- pasi republikanët kishin rrëzuar dy kandidaturat e propozuara më parë, për shkak se u cilësuan si shumë të moderuar mbi problemet sociale -ai gjeti përkrah një grua e cila, që nga shfaqjet e fillimit, dukej se nuk fliste më duke vënë trurin në punë, por zemrën. Shumë ngritën në qiell faktin se ajo nuk kishte frekuentuar asnjë universitet prestigjioz në Amerikë, që jetonte me problemet që mund të hasë një grua kur sjell në jetë një fëmijë në moshë të re dhe kishte vazhduar të zgjeronte më tej familjen, e që kishte sjellë në jetë disa muaj më parë një fëmijë të prekur edhe nga sindromi daun, gjë që nuk e pengoi ta çonte shtatzëninë e saj deri në fund. Që familja e Palin-it ishte një familje e trazuar nga problemet, kjo dukej qartë: me vajzën që kishte ngelur shtatzënë me të fejuarin në moshë të re, me djalin për të cilin qarkullonin zëra se përdorte lëndë narkotike apo bashkëshortin e cilësuar si një "Don Zhuan" të thekur. Histori këto që tabloidët amerikanë i trajtuan pa pushim, duke e bërë Palin një shtëpiake të dëshpëruar të politikës. Është vërtet e vështirë të shohësh në lëvizjet e saj një zgjedhje politike racionale dhe një projekt konkret. Madje, kështu pati thënë edhe William Kristol, një komentator republikan, dhe për më tepër një mbështetës i Palin: "Nëse do të sillet në mënyrë të pakuptimtë, ekstravagante dhe fanatike, ashtu si kritikët e saj thonë, atëherë do të dështojë. Përkundrazi, nëse sillet mirë, do të fitojë". Për momentin, shenjat pozitive mbeten të padukshme. Për shembull, askush më parë nuk e kishte lënë detyrën që mbante para se të propozohej si kandidat, përveç Robert Bob Dole, republikanit që sfidoi Bill Clinton-in në vitin 1996, duke braktisur karrigen e senatorit. Ka nga ata që thonë se nuk është e mundur të qëndrosh në Alaskë, rreth 3 kilometra larg zemrës së politikës amerikane, dhe të përgatitesh për Shtëpinë e Bardhë. Palin duhej të mbaronte mandatin e të mos kandidonte më, sepse sërish kishte edhe dy vjet për t‘u përgatitur në garën për presidencë. Ndoshta është pikërisht Juneau, kryeqyteti i Alaskës, ku Sarah Palin nuk mund të rrijë më. Tashmë janë një kujtim i bukur kohët kur kishte një popullaritet që e kalonte shifrën 90 për qind, si rezultat i naftës, burimit më të rëndësishëm të këtij shteti, çmimi i së cilës shkonte 100 dollarë për fuçi dhe e lejonte guvernatoren e sapozgjedhur t‘u shpërndante qytetarëve para në forma të ndryshme. Muajt e fundit, ditë pas dite janë karakterizuar nga një rënie e popullaritetit të saj dhe nga hetime të vazhdueshme me sfond etik: 12 prej të cilave u mbyllën për mungesë faktesh, ndërsa disa të tjera janë të depozituara sepse guvernatorja ka pranuar t‘ia kthejë shtetit paratë e shpenzuara jo sipas rregullave, si për shembull udhëtimet e punës ku kishte marrë me vete gjithë familjen. Në Alaskë është e lehtë të ngresh një çështje etike. Aty çdo qytetar mund ta kërkojë diçka të tillë. Ata mund të kërkojnë të kenë akses ndaj të gjitha dokumenteve zyrtare, përfshi edhe shpenzimet e guvernatorit. Në mbrojtje të funksionarëve publikë, mbetet vetëm sekreti mbi përmbajtjen e akteve nëse hetimet nuk nxjerrin asgjë në dritë, ose nëse të gjithë nuk pranojnë t‘i bëjnë publike. Hetime të tilla, që i kushtuan guvernatores rreth 500 mijë dollarë në betejat gjyqësore, mund të jenë një arsye që e ka bindur se puna e saj në këtë post ka mbaruar. Por në hipotezat e shumta që qarkullojnë mbi "kostumin" që do të veshë Palin, është edhe ai i yllit mediatik: ajo që mbledh republikanët për të diskutuar, për të bërë mbledhje duke u shndërruar kështu në një ikonë televizive. Një detyrë kjo që Sarah Palin mund ta bëjë shumë mirë dhe që do ta ngrinte në majat e popullaritetit të partisë. Me pak fjalë, një grua që me fund, taka të holla dhe makijazh mund të kërkojë të nxjerrë jashtë krizës politike një nga partitë më të mëdha në vend. Gjithmonë nëse do të dijë të veprojë ashtu siç duhet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›