E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Malaj: Do të garoj për postin e kryetarit

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaron se është i gatshëm të futet në garën për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Në një intervistë për "Ora News", ai i mëshoi idesë se pas humbjes mandati i kryetarit aktual është i mbaruar automatikisht dhe nuk ka nevojë për një akt dorëheqjeje. Duke komentuar procesin zgjedhor, Malaj tha se "jemi në fazën që procesi zgjedhor edhe sipas Kodit Zgjedhor ende nuk ka përfunduar. Është kolegji ai që do t‘u japë përgjigje ankesave politike. Do të ishte shumë mirë që kjo etapë të përfundonte sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të rregullt. Është e detyrueshme të përfundojë me sukses procesi zgjedhor". Në vlerësimin e tij, hapat brenda Partisë Socialiste do të jenë pjesë e një vendimmarrjeje kolektive dhe jo personale. "Në zgjedhje ne nuk arritëm atë për të cilën ishim të përkushtuar, por dhe që kishim detyrimin maksimal. Nuk arritëm të kishim një rezultat që na sillte në pushtet dhe na ndihmonte të ishim vendimtarë në hapat për menaxhimin e vendit. Duket se Partia Socialiste e humbi mundësinë që të qeveriste me koalicionin e saj", theksoi Malaj. Sipas tij, të braktisësh procesin dhe të merresh me analiza brenda vetes është qëndrim jo korrekt dhe me ndikim negativ. Gjithsesi, ai konstatoi se do të duhej që të kishte një hapje më të plotë të koalicionit potencial që zgjerimi i bazës mbështetëse të bënte të mundur rezultatin maksimal. "Duheshin vlerësuar potenciale brenda partisë që në karrierën e tyre erdhën në mënyrë normale. Punuam shumë për një program real, por u ngurrua prezantimi i tij sa më bindës para elektoratit. Edhe performanca në debate duket se nuk arriti maksimumin. Një tjetër element ishte personalizimi i fushatës dhe fitores së koalicionit tonë", tha Malaj. Anëtari i kryesisë së socialistëve, duke iu referuar qëndrimeve të Ramës pas 28 qershorit tha se "për një lider që nuk ka arritur rezultatin që ka dëshiruar, jo si ambicie, por edhe si detyrim, nuk është diçka e lehtë". Kam pasur, vijoi ai, detyrimin dhe pastaj kurajën që në momente të herëpashershme të diskutonim për atë çka mund ta bënim më mirë. Brenda një partie duhet të ruash edhe masën midis dëshirës për të qenë publik dhe frymës bashkëpunuese që duhet", nënvizoi Malaj. Malaj tha se që në vitin 2005, së bashku me kolegë është menduar gjatë që PS të mos vuajë nga ato çka vuajnë shumë parti evropiane. "Duke pasur parasysh zhvillimet brenda partisë, u mendua se procesi i sfidave parlamentare të ishte i qartë. Nëse kryetari humbet garën, këtu nuk bëhet fjalë për të kërkuar dorëheqjen, mandati ka mbaruar dhe fillon një garë", insistoi Malaj. Ai këmbënguli sakaq se investimi i Ramës në zgjedhjet vendore nuk duhet shikuar bardhezi dhe se dorëheqja nuk është fundi i një karriere politike. "Ke humbur një garë dhe dikush tjetër duhet të provohet. Rama duhet të ketë detyrim të jetë pjesë e sfidave të ardhshme të PS. Në një kohë të dytë gjithçka është e hapur për të gjithë", nënvizoi Malaj. Ai tha se Rama, në funksion të një kredibiliteti që ka pasur, në kohën e duhur do të respektojë atë filozofi të rotacioneve brenda partisë që e ka promovuar dhe kërkuar si kusht. "Një lider kushtëzohet shumë nga kredibiliteti i tij. Nuk bëhet fjalë për një dorëheqje dhe ndarje. Besoj se Rama nuk do të bjerë pre as e telegrameve të solidaritetit", u shpreh Malaj. Duke iu referuar zhvillimeve paszgjedhore, Malaj tha se "në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë Socialiste, kishim një debat se kur PS duhet ta pranojë humbjen". Sipas tij, Partia Socialiste duhet të luftojë me instrumente ligjore që të garantojë votën dhe se nuk bëhet fjalë të krijohet një ambient konfliktesh, por të krijohet fryma e një konkurrence në parti. "Nuk kam hezituar të bëj brenda strukturave dhe në opinion, oponencën e asaj çka na vështirësonte fitoren. Kam bërë debat në rastin e ndryshimeve kushtetuese dhe kam qenë kundër sjelljes ndaj grevës së urisë. Nuk kam hezituar edhe para se të shpallej lista që të kërkoja të kishte një respekt të karrierës dhe vlerave", nënvizoi Malaj.

Sfida

Blushi kërkoi largimin

e Ramës nga kryetar

Një ditë më parë, një tjetër anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, kritikoi Edi Ramën dhe i kërkoi të pranojë humbjen. Në një intervistë për një të përditshme, Blushi, tha se Edi Rama duhet të pranojë humbjen dhe t‘u shpjegojë socialistëve se si ka mundësi që nuk solli në pushtet partinë më të madhe në Shqipëri. Sipas tij, çdo përpjekje për të nxjerrë opozitën jashtë Parlamentit do të ishte një vetëvrasje për PS-në, e cila nuk mund të kthehet në pushtet duke imituar PD-në dhe Sali Berishën e vitit 2000. "Filozofia e kryetarit të PS-së ka dështuar dhe për këtë nuk mund të fajësohet PS-ja dhe aq më pak komisionerët në të gjithë Shqipërinë. Këto zgjedhje nuk i kanë humbur komisionerët, siç po interpretohet paturpësisht, por kauza e gabuar dhe politika e personalizimit të një beteje të përbashkët. Ajo që po ndodh pas 28 qershorit në PS është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e kësaj partie", nënvizoi Blushi. Ai nuk u pajtua me idenë e Ramës kur thotë se "tani që partia humbi, unë jam më i fortë se kurrë". "Po pres mbledhjen e forumeve të partisë për të dëgjuar të vërtetën e kolegëve dhe të miqve të tjerë dhe për të thënë dhe unë të vërtetën time", u shpreh Blushi. Ai këmbënguli se zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhje të përgjithshme, për të cilat çdo parti përgatitet në katër vjet dhe ato nuk mund të trajtohen si zgjedhje të pjesshme ose lokale, sepse tani kemi humbur Shqipërinë dhe jo Kasharin. "Prandaj duhet t‘i drejtohemi Shqipërisë duke shmangur kasharizimin e PS-së", tha Blushi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›