E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skeraj nënshkruan me Djurgardenin

Nga Valon Konushevci më 05 maj 2011 në ora 14:18

Pas një viti pauzë, Shqipron Skeraj ka gjetur klub të ri. Futbollisti kosovar tash e tutje do të aktivizohet në elitën e futbollit suedez (Allsvenskan), pasi e ka pranuar ofertën e Djurgardenit.

Me ekipin suedez, 25 vjeçari të mërkurën ka nënshkruar kontratë tremujore, por me mundësi të vazhdimit. Lajmin e ka konfirmuar vetë prizrenasi për Express, i cili nuk e fshehu gëzimin se më në fund ka gjetur klub të ri.

“Vendosa ta pranoj ofertën e Djurgardenit. Kam nënshkruar kontratë për tre muaj me këtë skuadër dhe jam i kënaqur që gjeta një ekip, i cili më ka ofruar kushte të mira. Kjo kontratë më konvenon mjaft shumë dhe gjatë këtyre tre muajve besoj se do t’i tregoj vlerat e mia të vërteta dhe do t’i bind zyrtarët e klubit për ta vazhduar kontratën për më gjatë”, deklaroi Skeraj.

Ish futbollisti i Lirisë, i Prishtinës dhe i Greuther Furthit gati prej një viti është pa klub, që prej ndarjes me skuadrën gjermane TUS Koblenz verën e vitit të kaluar. Mirëpo, me ndërmjetësimin e selektorit të përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, Djurgarden e kishte ftuar mbrojtësin në prova disa ditore, gjatë të cilave Skeraj kishte dëshmuar se ka kualitete të mira.

“Qysh gjatë provave dëshmova se jam serioz në punë. Jam lojtar që përshtatem lehtë nëpër ekipe. Të njëjtën gjë besoj do ta bëj edhe në Djurgarden, edhe pse nuk kam luajtur që një vit. Besoj se menjëherë do të filloj të luaj për ekipin e ri, për të cilin do ta jap maksimumin”, theksoi ai.

Skeraj nuk beson se Federata e Futbollit e Suedisë do ta pengojë për t’u aktivizuar menjëherë në ndeshjet kampionale, pasi Djurgardenit i është bashkuar si lojtar i lirë.

Skeraj është lojtari i 14-të shqiptar që aktivizohet në Allsvenskan. Gjatë dimrit në ekipet suedeze janë transferuar edhe Liridon Leci, Alban Dragusha, Besnik Rrustemaj (Kalmar), Valdet Rama, Kushtrim Lushtaku (Orebro).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›