E Hënë, 2 Nëntor 2026

Llatja prezanton “Paketën e Maleve” në Gjinar: Thirrje për investime në agroturizëm dhe turizëm malor

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja zhvilloi një takim me banorë të zonës së Gjinarit për të prezantuar projektin e ri strategjik “Paketa e Maleve”, një nismë që synon të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malore përmes investimeve në agroturizëm, agropërpunim dhe turizëm natyror.

Gjatë bashkëbisedimit me komunitetin, Llatja theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të pasurive natyrore të zonave si Gjinari, Funari, Bysheku dhe Tregani, të cilat ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm turistik.

Ai tha se “Paketa e Maleve” ofron mbështetje konkrete për qytetarët dhe sipërmarrësit që synojnë të investojnë në zonat me potencial turistik e bujqësor të qarkut Elbasan, duke sjellë zhvillim ekonomik, rritje të punësimit dhe ndërtimin e një harte të re turistike për rajonin.

“Me “Paketën e Maleve”, i japim fund pengesave burokratike dhe hapim rrugën për investime të reja në zonat malore. Kushdo që dëshiron të ndërtojë një të ardhme mbi tokën e të parëve, mund të përfitojë nga 10 vite pa taksa dhe një procedurë tërësisht të thjeshtuar”, u shpreh Llatja.

Kryebashkiaku i Elbasanit ftoi të interesuarit të aplikojnë në platformën zyrtare: www.paketaemaleve.gov.al për të investuar në kuadër të kësaj nisme të re të inicuar nga qeveria, që synon zhvillimin e zonave malore dhe ekonomisë rurale.

1 nga 4

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›