E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Debati politik zhvillohet brenda parlamentit

10/09/2009  Bojkoti i PS-së, reagon Komisioni Evropian

Komisioni Evropian, ashtu si dy përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, kreu i OSBE-së dhe ambasadorja e Britanisë në vendin tonë, i sugjeroi dje opozitës që të zërë vend në Parlament dhe të lërë mënjanë rrugën e bojkotit. “Qëndrimi i Komisionit Europian në këtë çështje është shumë i qartë. Debati politik brenda një vendi demokratik zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij”, - ka deklaruar kreu i delegacionit të këtij komisioni në vendin tonë Helmut Lohan, duke iu përgjigjur interesit të medies mbi qëndrimin e këtij institucioni ndaj vendimit të Partisë Socialiste për të mos u futur në Kuvend. Lohan ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të fazës B të terminalit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Në këtë mënyrë, pas Robert Bosch dhe Fiona Mcllë ham deklarata e Lohan përforcon qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar të pranishëm në Tiranë kundër vendimit të Partisë Socialiste dhe i bën asaj thirrje të mos braktisë Kuvendin. Dy ditë më parë kundër bojkotit të opozitës u deklarua edhe ambasadorja britanike në Tiranë Fiona Mcllë ham. Ajo ka mbajtur qëndrim kritik ndaj vendimit të selisë rozë. “Për sa i përket bojkotit të opozitës ka pasur një deklaratë të OSBE-së një ditë më parë dhe ne jemi dakord me atë qëndrim”, - ka përmbledhur qëndrimin e vendit të saj për këtë çështje Mcllë ham. Ndërkohë që më herët OSBE-ja përmes kreut të saj u shpreh kundër bojkotit të Kuvendit nga Partia Socialiste. Bosch tha se debatet politike bëhen në Kuvend, nisur dhe nga logjika që tejkalon qëndrimet personale të partive, që ka të bëjë me integrimin europian të vendit. OSBE-ja është një nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që PS-ja ka thirrur për ta asistuar në procesin e verifikimit të parregullsive me zgjedhjet. Partia Socialiste zyrtarizoi vendimin politik për të bojkotuar parlamentin, duke e kushtëzuar pjesëmarrjen e saj me një sërë kërkesash, ku më kryesorja është ajo për një hetim dhe transparencë mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit. Ajo ka munguar në të dyja seancat që janë zhvilluar deri tani në këtë fillim të legjislaturës së re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›