E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i “Gërdecit” ngec pa filluar ende

10/09/2009  Shtyhet seanca e parë në gjykatën e Tiranës, shkak mungesa e një avokati

Avokati Maksim Haxhia, i pranishëm në gjyq tha dje se çështja duhet të ndahet

TIRANË- Ka dështuar seanca e parë gjyqësore kundër 28 të pandehurve akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Shkak për moszhvillimin e seancës gjyqësore ka qenë mungesa e avokatit Arben Prifti që në këtë proces mbron interesat e të pandehurit Dritan Minxhozi. Seanca e djeshme edhe pse në sallë ishin numri më i madh i avokatëve ka dështuar gjithsesi. Por disa prej avokatëve kanë reaguar ashtu sikundër edhe prokurorët e çështjes. Prokurorët nga ana e tyre janë shprehur se nuk mund të vazhdohet me shtyrje pambarimisht të procesit. Gjykata e filloi seancën gjyqësore normalisht në orën 10-të të paradites së djeshme. Procesi do të zhvillohet në sallën e madhe të gjyqeve në gjykatën e Tiranës. Ndonëse mungonin disa të pandehur, ata përfaqësoheshin nga avokatët mbrojtës. Seancës nuk i munguan edhe kërkesat e bëra tashmë të modës. Pasi gjyqtari verifikoi mungesën e avokatit Prifti dhe pa se ai ishte lajmëruar për datën dhe orën e seancës, vendosi ta zëvendësoi me një tjetër avokat kryesisht. Ky i fundit nuk mund të vazhdonte dje për shkak se nuk njihte dosjen penale. Në këto kushte gjyqi shkoi drejt shtyrjes. Në sallë dje u prezantuan edhe prokurorët e rinj të Prokurorisë së Tiranës. Pas kalimit të dosjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, edhe prokurorët duhet të ishin nga Prokuroria e rrethit e jo nga ajo e përgjithshme. Prokurorët e rinj të procesit janë shefi i njësisë Task-Forcë Altin Dumani, zëvendësprokurori i rrethit Genci Qano, prokurori ushtarak Petrit Bici dhe prokurorja e sektorit të vrasjeve Marjeta Zajimi. Në seancën e djeshme gjyqësore mungonin disa prej të pandehurve. Luan Hoxha, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Sokol Ngjeci, Ardian Mullai. Këta nuk ishin në sallën e gjyqit, por ishin avokatët e tyre. 28 të pandehur ndodhen në këtë proces, pas ndarjes së dosjes nga ajo e Fatmir Mediut nga Gjykata e Lartë. Avokati Maksim Haxhia, i pranishëm në gjyq tha dje se çështja duhet të ndahet. Sipas Haxhisë, nuk është e drejtë që ushtarakët të gjykohen së bashku me civilët. Ndonëse nuk përmendi emra në seanca gjyqësore, Haxhia i tha gjykatës se jo të gjithë kanë të njëjtat vepra penale dhe duhet të gjykohen së bashku. Kërkesa e Maksim Haxhisë nuk mori përgjigje dje nga gjyqtari Ridvan Hado që është edhe drejtues i procesit më të madh në vend. Të gjithë të pandehurit kanë mbi shpinë një sërë akuzash që lidhen me tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku si pasojë e një shpërthimi në një depo ku demontoheshin armë dhe fishke gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë si dhe u shkatërruan dhjetëra shtëpi. Në sallë kishte edhe shumë familje që nuk ishin dakord me shtyrjen e gjyqit.

Nënshkruan peticion, ku kërkojnë mosdekretimin e Mediut

Familjarët: Paska njerëz që na mbështesin

Pas përfundimit të seancës gjyqësore të 28 të pandehurve akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, reaguan familjarët. Reagimi i tyre kishte të bënte me emërimin e Fatmir Mediut në krye të një ministrie. Të gjithë familjarët ishin dakord dhe nënshkruan një peticion me anë të të cilit kërkojnë mosdekretimin e Fatmir Mediut në asnjë ministri. Familjarët thanë dje pas përfundimit të seancës, se Fatmir Mediu e pakta që mund të bëj është të presë deri sa të përfundoi procesi kundër tij dhe më pas nëse do të shpallet i pafajshëm të ndjek rrugën politike dhe jetën e tij të përditshme. Familjarët i janë bashkuar peticionit të firmosur nga një grup gazetarësh, të cilët janë kundër emërimit të Fatmir Mediut në krye të Ministrisë së Mjedisit. “Fatmir Mediu, janë shprehur familjarët, nuk duhet të jetë pjesë e kabinetit qeveritar deri në përfundim të procesit gjyqësor”. "Në Shqipëri paska njerëz që qenkan pranë nesh. Ne kërkojmë që Mediu të paraqitet në sallë dhe drejtësia të japë vendimin për të. Nëse ai është i pafajshëm, atëherë le të vazhdojë rrugën e vet", tha një prej familjarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›