E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbi dosjen e pronave, vihet nën akuzë zyrtari i AKKP-së

10/09/2009  Inspektori me inicialet D. Xh., i humbi dokumentacionin një qytetari nga Lezha

TIRANE- Një zyrtar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është vënë nën akuzë nga njësia hetimore Task-Forcë, pasi rezulton se ai ka zhdukur nga arkivat e institucionit ku punonte dosjen e një qytetari nga Lezha, i cili sapo kishte përfunduar dokumentacionin për të përfituar tokë. Dyshohet se gjatë momentit të transportimit të dosjes nga Lezha në Tiranë, punonjësi me inicialet D.Xh. mund ta ketë humbur atë në ndonjërin prej furgonave të linjës apo në ndonjë lokal ku ai ka qëndruar. Të paktën kështu ka deklaruar vetë 32-vjeçari që tashmë po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Dëshmisë shfajësuese të tij, nuk i kanë besuar shumë ekspertët e hetimit, të cilët aktualisht po kryejnë hetime, nëse i sipërcituari e ka fshehur dosjen me qëllim apo zhdukja e materialit voluminoz ka qenë aksidental. Gjithçka lidhur me këtë ngjarje është zbuluar kur personi që kishte aplikuar për të rimarrë tokën e tij është interesuar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë. Sipas burimeve pranë organit të akuzës, inspektori që aktualisht po hetohen në gjendje të lirë, kishte shkuar disa ditë më parë në qytetin e Lezhës, nga ku ka tërhequr disa dosje për të cilat AKKP-ja Tiranë, kishte vendosur t’i shqyrtonte lidhur me miratimin ose jo të tyre. Personi me inicialet D.XH ka menduar se gjithçka e ka kryer konform rregullave ligjore, mirëpo pas interesimit të vetë qytetarit që kishte aplikuar, është konstatuar se materiali që ai kërkonte nuk figuronte i regjistruar në protokollin e AKKP-së Tiranë. Menjëherë pas këtij skandali, drejtuesit e AKKP-së kanë komunikuar me Zyrën rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Lezhë, nga e cila kanë marrë përgjigjen se dosja që mbante sipër emrin e qytetarit, ishte regjistruar në protokollin e këtij institucioni dhe më pas i është dorëzuar inspektorit me inicialet D.Xh, i cili kishte si detyre të transportonte dosjet nga Lezha në Tiranë. Kaq ka mjaftuar që drejtuesit e AKKP-së, por edhe qytetari t’i drejtohen Prokurorisë së Tiranës, në të cilën kanë depozituar një kallëzim penal në ngarkim të inspektorit 32-vjeçar. Për sqarimin e rrethanave organi i akuzës ka vendosur të marrë në pyetje shtetasin e kallëzuar, i cili është shprehur se dosjen për të cilën ai akuzohet mund ta ketë humbur aksidentalisht. Të nisur nga këto kushte prokurorët kanë ngritur ndaj tij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë sinjal për gjetjen e dosjes që bënte fjalë për kthimin e një sipërfaqeje toke në qytetin e Lezhës.

AKKP-ja dhe hetimet e Task-Forcës

Punonjësit e AKKP-së Tiranë, shpeshherë janë bërë objekt hetimi i njësisë hetimore Task-Forcë. Rasti më flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentacionit, ka të bëjë me ish-drejtuesin e kësaj agjencie Tunxh Vatnikaj, i cili në bashkëpunim edhe me katër vartësit e tij, manipuluan dy familje nga Kavaja duke i marrë atyre një sipërfaqe të konsiderueshme toke që ndodhet në vendin e quajtur plazhi i Gjeneralit. Nga hetimet që kryen prokurorët e Task-Forcës, rezultoi se punonjësit e AKKP-së kundrejt shumave të mëdha financiare që kishin marrë, ia kishin kaluar sipërfaqen e tokës me dokumente të falsifikuara biznesmenit Alban Xhillari, i cili njihet edhe si ndërtuesi më i madh në kryeqytet. Aktualisht dosja me 7 të pandehur, ka përfunduar në gjykatë, ku dhe është në proces gjykimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›