E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Renditja e TIA-s, një lajm i keq për Shqipërinë

UPDATE- Pas deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Suedisë për korrupsionin në Shqipëri ka reaguar edhe shefi i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan.

Gjatë një konference për biznesin, duke e quajtur raportin një lajm të keq për Shqipërinë, Lohan ka pohuar se bizneset shqiptare janë duke u përballur me problemet e përditshme të korrupsionit teksa ndeshen me institucionet.

Sipas tij, një problem tjetër që shqetëson biznesin shqiptar është edhe ai i kostos së lartë që ai ka në ushtrimin e sipërmarrjeve të ndryshme ekonomike.

Lajm të keq për Shqipërinë e kanë quajtur ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë, raportin e publikuar dje nga TIA për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Raport që e rendiste vendit tonë shumë pas, edhe në krahasim me vende të pazhvilluara.


"Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme", - thuhet në deklaratën e përbashkët. Ambasadorët përsëritën gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë luftë kundër korrupsionit.

***********************
NE GALERI FOTO

1 - Tabela e TIA-s per 23 vendet me pak te korruptuara dhe 13 vendet me shume te korruptuara ne bote
2 - Lohan me kreret e shtetit shqiptar


****

Organizata Transparency International publikoi dje Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perceptions Index (CPI)) për vitin 2009.

Shqipëria për herë të parë pas vitit 2005 ka shënuar rënie në këtë indeks, duke zbritur dhjetë shkallë. Në vitin 2008 Shqipëria renditej në vendin e 85-të, kurse këtë vit është përkeqësuar dhe ka zbritur në vendin e 95-të, duke lënë pas në rajon vetëm Bosnjën, e duke u renditur përkrah vendeve me konflikte të armatosura si Ruanda, Vanautu apo Sri Lanka.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është një sondazh që përllogarit shkallën e perceptimit të korrupsionit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve në 180 shtete të botës. Ai përqendrohet vetëm në perceptime dhe bazohet në 13 anketa dhe sondazhe të ndryshme nga 10 institucione të pavarura të përzgjedhura mes vëzhguesve me eksperiencë, si njerëz të biznesit, ekspertë dhe analistë vendas.


Shqipëria


Vendi ynë shënon 3.2 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, nga 3.4 që ishte për vitin 2008, me gjashtë burime të dhënash me standardin e devijimit 0.3 (minimumi 2.8 dhe maksimumi 3.6).

Në zonën e Euro-Azisë, Shqipëria renditet e teta mes 20 vendeve. Në rajonin e Evropës Juglindore lë prapa Bosnjë-Hercegovinën. Vendin e parë në rajon e ka Turqia me 4.4 pikë e pasuar nga Kroacia 4.1.

Të dhënat e këtij studimi u prezantuan dje nga përfaqësuesi i Transparency International Albania, Endri Shabani.

"Në tërësi rezultatet e indeksit 2009 janë shqetësuese. Ato tregojnë se korrupsioni vazhdon të jetë aty ku qeveriset pa transparencë, aty ku institucionet kanë nevojë ende për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion", - deklaroi Shabani.

TIA ka deklaruar se Shqipëria ka sfida të forta përpara dhe vendi duhet të dalë nga apatia e mosndëshkimit.

"Beteja antikorrupsion mbetet një sfidë për qeverinë, parlamentin, gjyqësorin, agjencitë e zbatimit të ligjit, medien e pavarur dhe shoqërinë civile - në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Zbatimi i strategjisë antikorrupsion nga ana e qeverisë, reformimi i gjyqësorit dhe dalja nga apatia e mosndëshkimit ligjor të rasteve korruptive janë sfidë serioze për politikën dhe pushtetin gjyqësor në vend. Transparenca e financave të partive politike mbetet një problem veçanërisht serioz për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Çështjet ku supozohet se ka korrupsion janë një sfidë për pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit", - thuhet në deklaratën e TIA.


Rajoni


Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2009 tregon se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për të gjithë rajonin. Të gjitha shtetet e rajonit kanë marrë një notë më pak se 5 (nga 10 pikë të mundshme) duke treguar se ato përballen me një perceptim të lartë mbi korrupsionin në sektorin publik.

Në Evropën Juglindore, pjesëmarrja e pritshme në Bashkimin Evropian nuk ka ndikuar si një faktor kryesor për të nxitur përpjekjet antikorrupsion. "Fakti që në 2008 një fond i konsiderueshëm i BE, i parashikuar për Bullgarinë, u pezullua për shkak të mungesës së progresit në reformat antikorrupsion dhe në drejtësi, tregon që Komisioni Evropian ka forcuar pozicionin e tij në kërkesat për reforma. Gjithashtu nuk është koincidencë që toni i Raport-Progresit të BE për vendet kandidate, i publikuar në tetor 2009, reflekton në një masë të gjerë renditjen e CPI.

Në mënyrë të dukshme, pikët e CPI 2009 për Turqinë dhe Kroacinë (të dyja vende kandidate për në BE), respektivisht 4.4 dhe 4.1, tejkalojnë pikët e Bullgarisë dhe Rumanisë (vendeve më të reja të BE), të cilat morën nga 3.8 këtë vit", - thuhet në deklaratën e TI.

Pikët më të larta në CPI 2009 i ka marrë Zelanda e Re me 9.4; Danimarka me 9.3, Singapori e Suedia me 9.2; dhe Zvicra me 9.0. Këto pikë reflektojnë stabilitet politik, norma ligjore të qëndrueshme mbi konfliktin e interesit, si dhe institucione publike solide e funksionale.

Zyrtarët e TI bënë të ditur se, "në tërësi rezultatet e indeksit të 2009 janë shqetësuese, sepse na tregojnë që korrupsioni vazhdon të fshihet aty ku qeveriset pa transparencë, ku institucionet ende kanë nevojë për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion".

Renditja e Shqipërisë ndër vite në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI)


Viti 2004

Vendi- 108

Nota e CPI- 2.5

Marzhi 2.0 - 3.0


Viti 2005

Vendi- 126

Nota e CPI- 2.4

Marzhi 2.1 - 2.7


Viti 2006

Vendi- 111

Nota e CPI- 2.6

Marzhi- 2.4 - 2.7


Viti 2007

Vendi- 105

Nota e CPI- 2.9

Marzhi- 2.6 - 3.1


Viti 2008

Vendi- 85

Nota e CPI- 3,4

Marzhi- 3.3 - 3.4


Viti 2009

Vendi- 95

Nota e CPI- 3.2

Marzhi- 2.8 - 3.6



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›