E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon Ministrin e Brendshëm italian Maroni

Kryeministri Berisha priti sot Ministrin e Brendshëm të Italisë Roberto Maroni. Në këtë takim Kryeministri Berisha e njohu ministrin Maroni me masat qe ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të goditur krimin e organizuar, si dhe vuri në dukje suksesin e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të realizoje të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të lëvizin lirshëm. Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria e tij e shohin integrimin dhe liberalizimin e vizave si një proces të bazuar në përformance dhe në të mirë të qytetarëve të vendit. Gjithashtu Berisha u shpreh se Italia i njeh përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe si e tillë mund të jetë avokati më i mirë i Shqipërisë në proceset integruese.
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Italian zoti Maroni shprehu nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit të fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar midis dy vendeve. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ministri Maroni shprehu besimin se Këshilli i Ministrave të jashtëm të BE-së do ti hapë rrugë liberalizimit të vizave në mesin e vitit të ardhshëm. Ministri Maroni u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian është një proces i natyrshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›