E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Zgjidhni krizën politike, ndryshe nuk ka BE

Berisha: 96% e shqiptarëve duan integrimin. Bosh: Rivendosni dialogun


TIRANË-Pavarësisht entuziazmit të shprehur nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri Sali Berisha për një anëtarësim sa më shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, faktori ndërkombëtar i ka bërë sërish apel klasës politike, se pa zgjidhur krizën politike nuk ka integrim në BE.


Kjo thirrje erdhi dje nga ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan gjatë konferencës "Mbështetja italiane për integrimin evropian të Shqipërisë", ku i pranishëm ishte edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha.


Ky i fundit nuk dha asnjë përgjigje mbi situatën politike, por vuri në dukje se motivi që e shtyn Shqipërinë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian është se 96 për qind e qytetarëve shqiptarë e mbështesin këtë proces.


"Motivet që e shtyjnë Shqipërinë drejt procesit të integrimit qëndrojnë para së gjithash në faktin se shqiptarët në 96 për qind të tyre kanë përcaktuar integrimin në Bashkimin Evropian si të ardhmen e tyre më të shkëlqyer",- tha dje Berisha.


Por, nga ana tjetër, ambasadori i Komisionit Evropian Helmut Lohan i bëri të qartë se nëse vendi do që të integrohet në familjen evropiane, duhet që më parë forcat politike të zgjidhin krizën politike përmes rivendosjes së dialogut politik, për të bërë të mundur edhe funksionimin institucional të Parlamentit.


Ai nënvizoi se ka marrë sinjale pozitive përsa i përket reagimeve që kanë ardhur nga Brukseli mbi përgjigjet që Shqipëria u ka dhënë 2284 pyetjeve në Pyetësorin e dorëzuar në KE.


Por, pavarësisht kësaj, vendi ynë ende nuk ka dhënë përgjigje mbi situatën politike, duke e lënë të papërmbushur kriterin politik. Për këtë arsye, zyrtarët e Brukselit dërguan pak ditë më parë 900 pyetje shtesë për Shqipërinë, ku 90 prej tyre kanë të bëjnë me kapitullin për kriterin politik."


Shqipëria dhe administrata shqiptare kanë punuar shumë fort për të përgatitur përgjigjet e më shumë se 2 mijë pyetjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian. Kolegët e mi në Bruksel po kalojnë net pa gjumë duke lexuar të gjitha përgjigjet, ndërkohë, që, po marr reagimet e para, të cilat janë relativisht pozitive.


Ka fusha ku duhet bërë më shumë progres dhe një prej tyre, ku ne do të ishim të lumtur të shihnim progres është fryma e një dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike në Shqipëri.


Kjo frymë dialogu është e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian, fryma e dialogut është e domosdoshme të shfaqet së pari dhe mbi të gjitha në një Parlament plotësisht funksional",- u shpreh Helmut Lohan.


Duke e marrë në konsideratë këtë apel të ambasadorit Lohan, kreu i ekzekutivit theksoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të arrihet mbi bazën e meritës dhe sipas tij, shqiptarët po punojnë për përmbushjen e kësaj aspirate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›