E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, Qeveria shpërblim për policët, zjarrfikësit dhe gardistët e vrarë

Këshilli i Ministrave, depozitoi pranë Kuvendit, propozimin për trajtimin financiar të punonjësve të strukturave të Ministrisë së Brendshme


TIRANE- Këshilli i Ministrave dorëzon pranë Kuvendit të Shqipërisë, propozimin e projektligjit "Për mënyrën e trajtimit Ekonomik e Financiarr dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri që humbin jetën në krye apo për shkak të detyës".


Vendimi për propozimin e këtij projektligji, mbërriti në sekrerarinë e Kuvendit, dy ditë më parë, ndërsa në qeveri është miratuar me 24 prill, rreth tri javë më parë. Në këtë projektligj qeveria ka parashikuar dhënien e ndihmave ekonomike për punonjësit e këtyre strukturave që janë në varësi të Ministrisë së Brendshme.


Në projektligj është parashikuar që për fëmijët e të rënëve në krye apo për shkak të detyrës së këtyre strukturave, të përfitojnë një pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në momentin që ai ka humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.


Kjo pagesë pensioni, do të bëhet për fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeç. Pas kësaj periudhe, bashkëshorti dhe anëtarët e familjes në ngarkim përfitojnë pension familjar suplementar sipas dispozitave.


Përfitimet sipas projektligjit jepen në masën 100 për qind të pagesës sa herë që përfitimi i llogaritur ndryshon. Ndërkaq, bashkëshortja, si dhe fëmijët nën moshën 18 vjeç, apo deri në moshën 25 vjeç, kur vazhdojnë studimet e larta, në çastin e humbjes së jetës së punonjësit të përmendur në ligj përfitojnë një ndihmë të menjëhershme në shumën 200 mijë lekë për person.


Për fëmijët që sipas vendimit kanë përfituar të ndjekin studimet e larta në institucionet shtetërore të arsimit të lartë, trajtohen me bursë të plotë. Në lidhje me shpenzimet e varrimit të punonjësve të rënë në krye të detyrës apo për shkak të detyrës, iu jepet një ndihmë e menjëhershme për shpenzimet e varrimit.


Për kategorinë për të cilën është propozuar projektligji, qeveria ka parashikuar që për pjesëtarët e familjes së tyre, përfitojnë trajtim me përparësi për strehim nga Enti Kombëtar i Banaesave.


Në ditën përkujtimore të punonjësit të rënë në krye të detyrës, personat që bashkëjetonin me të në kohën e rënies në krye të detyrës, do të përfitojnë një shpërblim deri në një pagë mujore të gradës më të lartë të nivelit zbatues.


Në projektligj është parashikuar që Këshilli i Ministrave, me një vendim të posaçëm, të përcaktojë masën, kriteret për ndihmën për punonjësit e plagosur në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës. Për ta është parashikuar edhe që të marrin një kompensim të caktuar në lidhje me dëmtimet e ndryshme trupore dhe shpenzimet për rehabilitimin e tyre shëndetësor.


Në lidhje me këtë kategori, në vendimin që propozonte këtë projektligj, është kërkuar që këshilli i Ministrave të përcaktojë masat e shpërblimeve, dhe të shpenzimeve që do të kryhen në këto raste.


Në lidhje me rastet e shpërblimit, të të rënëve në krye apo për shkak të detyrës, projektligji ngarkon Ministrinë e Brendshme, për të nxjerrë një udhëzim për mënyrën e dhënies së shpërblimeve, për pjesëtarët e familjeve të tyre.


200 mijë lekë ndihmë të menjëhershme përfitojnë familjarët dhe personat që bashkëjetonin në momentin e humbjes së jetës nga një prej efektivëve të parashikuar në projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave Kuvendit të Shqipërisë


1 pagë mujore që merrte punonjësi në momentin e rënies në krye të detyrës, bazuar në pagën më të lartë të nivelit zbatues, ka parashikuar qeveria në projektligjin e propozuar Kuvendit, që të përfitojnë familjet e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›