E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja me imunitetin

Petrit Qejvani

Zhurma e fundit e politikës për heqjen e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit si mundësi për të luftuar korrupsionin është  fryti i fundit i thartë i serës politike shqiptare. Ajo që të çudit nuk është kjo nismë e pozitës, por gatishmëria e opozitës për të hequr këtë valle, duke dredhur shaminë rozë pas asaj blu të pozitës. Këtij entuziazmi nuk i ka shpëtuar edhe faktori ndërkombëtar, a thua se tani është gjetur shkopi magjik me të cilin korrupsioni do dënohet me vdekje. Kjo nismë e re e pozitës nuk është gjë tjetër veç alibia e radhës e saj për të larguar ca më tej mundësinë për të luftuar korrupsionin, këtë gangrenë të politikës shqiptare.

Dhe e para pyetje që të vjen ndër mend, kur dëgjon trumbetimin e kësaj nisme është: vërtet mungesa e një ligji për heqjen e imunitetit e pengon drejtësinë shqiptare të ndëshkojë zyrtarët e lartë të shtetit, kur ata janë të korruptuar?! Vërtet pas kësaj do të shohim zyrtarin e parë të lartë të akuzuar për korrupsion të ndëshkohet?! Dhe pyetja tjetër  vërtet kaq budallenj i mendojnë politikanët shqiptarët e tjerë?! Duke u nisur nga përvoja e deritanishme duket se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.

Së paku sa të jetë kjo mazhorancë në pushtet. Dhe jo se jemi të sigurt se do të ndodhë edhe kur një mazhorancë tjetër do të vijë në pushtet. Kemi se paku tre raste ekzemplarë për të mbështetur argumentin tone: rasti Mediu (Gërdeci, ku provat flakërojnë në qiell), rasti Basha (rruga Durrës Kukës, ku provat flasin për 60 km rresht) dhe rasti Meta (videoja Prifti). Për të mos përmendur dosjen e 21 janarit (ku ende nuk kemi kërkesë të prokurorisë për heqje imuniteti).

Në të tre rastet e mësipërm është hequr imuniteti i personave të akuzuar, pra prokuroria dhe gjykata i ka pasur duart të lira për të vepruar. Por të tre proceset kanë degjeneruar, disa për shkak të zvarritjes së procedurave (Basha dhe Mediu) dhe tjetra, ndonëse procedurat kanë shkuar deri në fund. Në këtë lojë të pistë një rol par exellance kanë ato që duhet të ishin gardianet e ligjit: gjykatat shqiptare.

Pas gjithë këtyre nuk besoj se ka shumë mendje që besojnë se klasa politike shqiptare e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit. Kjo të kujton më së miri atë thënien popullore aq sa bë zemra për luftë, për të karakterizuar gjërat që njeriu  nuk  do ti bëjë. Pra,heqja e imunitetit është alibia e radhës për ti hedhur hi syve opinionit publik, por edhe ndërkombëtarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›