Tiranë e vjetër, Tiranë e re, Tiranë kot fare
Alban SEJDINI
Goxha kohë ka kaluar që kur në Tiranë u vendos, me hir a me pahir, të zëvendësohet administratori përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve të përgjithshme dhe sidomos atyre të përveçme, por nga fronti i ndryshimit të shumëshpresuar nga të gjithë banorët romantikë apo të politizuar nuk ka ende asgjë të re. Përkundrazi, çdo risi vjen vetëm nga fronti i ndryshimeve të shumëparashikuara nga të gjithë banorët realistë apo të depolitizuar të kryeqytetit. Në vend që të vihej me përkushtim, transparencë e llogaridhënie në shërbim të qytetarëve, institucioni i bashkisë perceptohet të jetë vënë në shërbim të familjarëve dhe imejllave të partisë. Edhe pse nuk shpresohej për ndryshimin e cilësisë së diellit siç u premtua në Durrës, asgjë nuk duket të ketë nisur të ndryshojë për sa i përket nivelit jashtëzakonisht të lartë të ndotjes nga dheu në ajër dhe zhurmat. Në qendër të Tiranës po përpiqen të rritin një mini-pyll për të dhënë mesazhe pro të gjelbërtës, në një kohë që anembanë vendit njerëzia do ta pësojë vetëm pas ca vitesh nga asgjësimi i pyjeve të vërteta. Numri i eliminimeve midis kriminelëve të organizuar dhe grabitjet e çfarëdoshme të kriminelëve ordinerë, të cilët nëpër rrugica me dritë apo me errësirë nuk bëjnë hiç dallim midis të fajshmëve e të pafajshmëve, të pasurve apo të varfërve, rritet njëlloj si xhidipija kombëtare sipas INSTAT-it.
Aq shumë premtime konstruktive bëri kandidati fitues për bashkinë e Tiranës, sa rrezik as ai dhe as stafi i tij mbështetës nuk i mbajnë mend. Megjithatë nja shtatë muaj, pasi erdhi me therrje e gjak në krye të institucionit kryesor përgjegjës për administrimin e kryeqytetit, nuk mund të thuhet se kryebashkiaku i ri nuk e ka lënë që tani gjurmën e tij. Fillimisht ndërroi të gjithë stafin anembanë bashkisë dhe institucioneve në varësi për të sjellë njerëz të tjerë, ndërsa i futi një të lyer pa shije zyrës më origjinale në politikën shqiptare, ku tashmë ka edhe rafte bosh në pritje për tu mbushur. Më pas ktheu sërish të vizitueshëm për automjetet nga e gjithë Shqipëria sheshin qendror të kryeqytetit, por nga nxitimi për të bërë shumë punë njëkohësisht bashkia harroi të japë llogari sa, si dhe kujt iu tenderuan punimet, por edhe si u morën ato në dorëzim duke parë që asfalti i hedhur mbi asfalt në krah të 15-katëshit mund të jetë vetëm fillimi i fundit. Aty ku qe planifikuar të ndodhej një piramidë me pasqyra uji, tani ndodhet një piramidë e veshur me bar të freskët që ia bën me sy kalit të palarë të Skënderbeut. Tek stacionet e shkarkimit të njerëzve nga autobuzët e periferive janë mbjellë shpejt e shpejt ca pemë në formë pylli, jo vetëm për tu kujtuar shumicës së këtyre qenieve prejardhjen e tyre, por edhe për ta bërë Tiranën më të gjelbër, në një kohë që anembanë Shqipërisë po tregohet një zero tolerancë ndaj pyjeve. Nëse Viti i Ri do të mbahet mend për qoskat e drunjta, ku një krep shitej 350 lek për të nxjerrë qiranë mujore prej 3000 eurosh, Dita e Verës do të mbahet mend për ato lulet e plastikës të varura në bulevard që të bënin sërish të mendoje Sa? Si? Kush?.
Ky është vetëm fillimi, sepse në tre vitet e ardhshme kryebashkiaku i ri do të përpiqet të lerë gjurmë edhe me plane të reja rregulluese, prishje e ndërtim objektesh, zgjatime bulevardesh apo me bërjen e Tiranës si Kamza – një nga perlat deklarative të fushatës zgjedhore. Ndoshta për këto nisma nuk ka edhe shumë faj, se paraardhësi i tij ia zuri të gjitha hapësirat boshe me kuç e me maç duke dhënë leje ndërtimi për pallate pa kurrfarë stili arkitekturor, disipline urbane e logjike hapësinore. Këtij të riut i duhet patjetër të gjejë hapësira të reja për të shfrytëzuar, sepse përndryshe nuk do të arrijë të ushtrojë funksionin kryesor të një kryebashkiaku: atë të dhënies së lejeve të ndërtimit. Megjithatë të gjitha këto lloj objektivash janë shumë të ndërlikuara dhe kërkojnë medoemos bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv midis pushtetit lokal dhe atij qendror në përmbushje të misionit për të punuar në shërbim të qytetarëve. Për këto arsye, kryebashkiaku i ri jo vetëm nuk do të qëndrojë jashtë hijes së shefit të tij ashtu siç bëri gjoja gjatë fushatës së tij zgjedhore, por mund të tenderojë ndonjë ditë punimet për ti gjetur një vend shefit në mozaikun interesant në ballë të Muzeut Kombëtar, sepse nuk duhet harruar që jetojmë në moshën e Beqirëve të historisë.
Nëse të huajt binden për të punuar në Tiranë vetëm nga rrogat fantastike që u ofrohen po nga të huajt, migrimi i brendshëm është i detyruar të ketë kryeqytetin si destinacion final, sepse më mirë nuk mund të gjendet në rang republike. Aty do të gjejnë një tufë me qofteri, pika lotosh dhe lojërash fati. Aty do të gjejnë nëpër bodrume e kate të para pallatesh plot klube dite e nate, që Natën e Bardhë ia sjellin përnatë banorëve të këtyre pallateve. Aty do të gjejnë një shërbim të policisë së rendit dhe asaj bashkiake, që në orare të caktuara të 24-orëshit nuk ta ngre fare telefonin ose e shpërfill me qesëndi problemin e qytetarit, sepse nuk është i madh mjaftueshëm. Aty do të gjejnë tregje të nënprodukteve të qumështit, ku si kontrollor i cilësisë dhe sidomos shijes punon prej vitesh vetëm miza. Aty do të gjejnë gjithashtu një sistem punësimi onllajn, jo aq për mënyrën e aplikimit se sa për mënyrën se si dërgohen dhjetëra emra anti-shkollë për tu punësuar në çdo vërrë të institucioneve të pushtetit lokal me urdhër të pushtetit qendror. Aty do të gjejnë edhe vrasje me pagesë, për hakmarrje e gjakmarrje apo për grindje të çastit, por edhe grabitje çantash, varësesh, lekësh e shtëpish me dhunë apo me lezet e rehati. Të mos harrojmë edhe fytyrat e shëmtuara, që kanë uzurpuar çdo institucion e mjedis publik me urinë e tyre për fitime kap ça tkapim nga partia, duke ta nxjerrë nga qejfi termin kryeqytet. Këto janë vetëm disa nga atraksionet kryesore të Tiranës së vitit 2012, ku duhet të kesh mendjen në semafor edhe kur tregon jeshilen për këmbësorët, por kjo nuk i bën përshtypje prurjeve të reja as në bashki, as në institucione qendrore e lokale dhe as në periferi.