Lojë e ëndrrave, për Toskin

Trajneri Andreas Bergmann e vendosi atë në pozitën e mbrojtësit të majtë, ide kjo e cila funksionoi për mrekulli, edhe pse ai nuk kishte luajtur kurrë në këtë rol.
“Ishte një lojë ëndrrash. Nuk e kam imagjinuar kurrë se do t’ia dilja mbanë”, deklaroi Toski për mediat gjermane. - “Luajta me sukses. Përpara isha OK, por në aspektin defanziv më duhet të përmirësohem”, shtoi 24 vjeçari.
Trajneri Andreas Bergmann ishte i lumtur me paraqitjen e skuadrës së tij, e posaçërisht e lavdëroi mesfushorin shqiptar. “Natyrisht, në këtë ndeshje bëmë edhe eksperimente, duke ndërruar pozitat, gjë që funksionoi. Fatoni luajti me sukses”, deklaroi 52 vjeçari.
Toski ishte hero i ndeshjes, e cila u zhvillua në praninë e rreth 10 mijë shikuesve. Ai i shënoi golat në minutën e 41-të dhe atë të 50-të. Ndërkohë, ai ka dhuruar edhe tri asistime. Golat tjerë për vendësit i realizuan Aydin (2), Maltritz dhe Federico.
Pas 17 xhirosh të zhvilluar në ligën e dytë gjermane, Bochumi gjendet në pozitën e 10-të të ligës së dytë gjermane, me 20 pikë të grumbulluara.