Lojë politike me trashëgiminë kulturore

Marrëveshje të tilla SHBA’të kanë nënshkruar edhe me shumë shtetet tjera të botës, nënvizoi Murphy të hënën, gjatë inaugurimit të objektit të rinovuar të kishës së Shën Nikollës, në Prishtinë.
Duke iu përgjigjur deklaratave të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Dacic, sipas të cilit, nënshkrimi i marrëveshjes për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA’ve nënkupton falsifikimin e trashëgimisë serbe në Kosovë, Murphy tha se është për keqardhje që dikush ka zgjedhur të bëjë lojë politike me trashëgiminë kulturore.
“Na vjen keq, por është paksa cinike që dikush ka zgjedhur të bëjë lojë politike me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Por, pavarësisht kësaj, SHBA’të janë të gatshme që të jenë pjesëmarrëse në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore. Po ashtu, është për keqardhje që dikush marrëveshjen e nënshkruar e konsideron falsifikim ose vjedhje të trashëgimisë. Ne dëshirojmë ta ruajmë kulturën shqiptare njësoj si atë çifute, krishtere, ose cilëndo trashëgimi tjetër në botë”, theksoi Murphy.
Sipas tij, marrëveshje të tilla SHBA’të kanë nënshkruar edhe me 24 shtete të tjera të botës, përfshirë këtu edhe Serbinë. Ai u shpreh shumë i kënaqur me rolin e SHBA’ve në ruajtjen e monumenteve të ndryshme ortodokse serbe në Kosovë, përfshirë Graçanicën, Deçanin, Pejën dhe monumentet tjera.
Për më tepër, në kishën e Shën Nikollës në Prishtinë, USAID ka investuar në krijimin e hapësirave sa më të përshtatshme për fëmijët, duke sjellë aty edhe lodra për ta. I pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomic, i cili nuk u prononcua për media. Ndërkohë që Murphy nuk harroi të përkujtojë se kjo është koha kur të gjithë të krishterët në botë, pa marrë parasysh se a janë katolikë, ortodoksë, ose protestantë, e kremtojnë lindjen e Krishtit, i cili ka sjellë porosi të gëzimit, tolerancës dhe shpresës.