E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ta ngritë Shqipërinë

Gianni de Biasi është prezantuar si trajner i ri i Kombëtares shqiptare. Ai është i lumtur për këtë, derisa nuk ka dashur të flasë për objektivat. Trajneri italian ka thënë se te ekipi kuqezi do të sjellë eksperiencën të cilën ka arritur me klubet që ka drejtuar. 55 vjeçari është optimist se Shqipëria do të ngritet hap pas hapi.

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), të hënën kanë prezantuar selektorin e ri të Kombëtares shqiptare – italianin Gianni de Biasi, i cili së fundi ka drejtuar ekipin nga Serie A Udinese.

Strategu italian, i cili gjatë karrierës ka drejtuar disa ekipe të njohura italiane si; Brescia e Torino, është shprehur i lumtur që iu dha mundësia ta drejtojë ekipin kuqezi në eliminatoret për kampionatin botëror ‘Brazili 2012’.

“Kërkoj ndjesë që nuk mund të flas dot gjuhën tuaj. Falënderoj FSHF-në për ftesën. Ndihem krenar që do të drejtoj Kombëtaren shqiptare, është përgjegjësi e madhe. Jam krenar që jam zgjedhur trajner i një vendi, që rritet si nga ana ekonomike, ashtu edhe ajo sportive.”, ka thënë 55 vjeçari në konferencën e para përpara medieve shqiptare.

Ish futbollisti i Interit, i Palermos e i Brescias nuk ka dashur të flasë për rezultatet që synon t’i arrijë me përfaqësuesen shqiptare. Por, De Biasi është optimist se ekipi kuqezi do të ngritet hap pas hapi.

“Nuk mund të japim objektiva, rezultatet vijnë me kohë dhe jo me fantazi. Përgjegjësia ime është të përmbush kriteret. Te Kombëtarja shqiptare do të sjell eksperiencën që kam arritur me klubet ku kam drejtuar. Do të analizojmë pozicionin e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s dhe do ta përmirësojmë. Jam realist, që kombëtarja të rritet duhet t’i hedhim hapat njëri pas tjetrit.”, theksoi italiani.

Shqipëria në grupin e eliminatoreve për botërorin "Brazil 2014" do të ketë përballë Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën dhe Qipron. Sipas De Biasit, grupi është i vështirë.

“Grupi eliminator është i vështirë. Zvicra do të jetë ekipi për t'u mundur në mënyrë që të arrijmë një vend të tretë”, është shprehur De Biasi i cili zëvendësoi trajnerin kroat Jospi Kuze. Ky i fundit dha dorëheqje nga drejtimi i ekipit kuqezi në muajin tetor.

Më pas trajneri i ri i kuqezinjve, De Biasi ka treguar njohjen e tij që ka për futbollin shqiptar, lidhjet me lojtaret që luajnë jashtë e veçanërisht në Itali.

Në anën tjetër, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka konfirmuar se me trajnerin italian kanë nënshkruar kontratë 2-vjeçare, me mundësi vazhdimi. “De Biasi do qëndrojë në Tiranë për të vëzhguar lojtarët e Superiores gjatë qëndrimit në Shqipëri”, ka deklaruar Duka, i cili ëndërron kualifikimin e Shqipërisë në botërorin ‘Brazili 2014’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›