Lojëra fati të paligjshme dhe kokainë në një lokal, arrestohen dy shtetas

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Game Over 2”, duke goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në fshatin Ndroq.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë ushtruar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, ku dyshohej se zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. Ç., 34 vjeç dhe I. T., 31 vjeç, të dy banues në Ndroq. Ata u kapën në një lokal duke vënë baste sportive përmes celularëve.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi 5 celularë që përdoreshin për lojëra fati, si dhe një shumë parash. Ndërsa gjatë kontrollit fizik ndaj 34-vjeçarit, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë. Po ashtu, gjatë kontrollit në banesën e 31-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua një armë sportive, e cila mbahej pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
/rtsh.al/