Gjermania ndryshon kursin, kancelari Merz drejt përdorimit të aseteve ruse për Ukrainën

Në një lëvizje që pritet të shkaktojë debate të forta në skenën ndërkombëtare, Kancelari Federal Friedrich Merz thuhet se është gati të autorizojë përdorimin e aseteve të bllokuara të Bankës Qendrore Ruse në Gjermani për të mbështetur Ukrainën.
Ky vendim, i bërë i ditur fillimisht nga agjencia gjermane e lajmeve DPA, shënon një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme të Berlinit dhe vjen si një përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të qeverisë belge, e cila mban pjesën më të madhe të këtyre aseteve përmes sistemit Euroclear.
Deri më tani, Gjermania kishte treguar rezistencë ndaj konfiskimit ose përdorimit të drejtpërdrejtë të aseteve sovrane ruse, për shkak të shqetësimeve mbi stabilitetin e euros dhe pasojave ligjore. Megjithatë, sipas burimeve të përfshira në negociata, Kancelari Merz duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me Brukselin.
Ky hap shihet si një përpjekje për të krijuar një front të përbashkët evropian në financimin e mbrojtjes dhe rindërtimit të Ukrainës, në një kohë kur ndihmat direkte nga buxhetet kombëtare po përballen me sfida politike brenda shteteve anëtare.
Implikimet ligjore dhe ekonomike
Vendimi i Gjermanisë pritet të shërbejë si “efekt domino” për vendet e tjera të G7-ës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo procedurë mbetet komplekse.
Fillimisht pritet të përdoren interesat e gjeneruara nga këto asete.
Konfiskimi i plotë mbetet opsioni më radikal që po diskutohet në Berlin, i cili do të kërkonte një bazë të fortë ligjore për të shmangur paditë në gjykatat ndërkombëtare.
Reagimi i Moskës
Ndonëse ende nuk ka një reagim zyrtar pas lajmit të fundit, Kremlini ka deklaruar vazhdimisht se çdo prekje e aseteve të tyre do të konsiderohej “vjedhje” dhe do të pasohej me masa reciproke ndaj aseteve perëndimore që ndodhen ende në Rusi.
/rtsh.al/