E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët tallen, Krstiçeviçndërpret stërvitjen e Tiranës

TIRANE- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në kampin e Tiranës, teksa trajneri Misho Krstiçeviç ka ndërprerë në mes seancën stërvitore, pasi ka parë që futbollistët e kishin marrë atë me tallje. Tirana do të presë të premten në fushën e saj Elbasanin, një ekip tashmë i rënë nga kategoria dhe kjo ka bërë që bardheblutë të mos e marrin aspak seriozisht seancën e sotme të stërvitjes. Duke parë këtë gjendje, tekniku Misho Krstiçeviç ka urdhëruar ndërprerjen e seancës dhe më pas doli përpara mediave, duke akuzuar futbollistët. “Mesa po shoh, skuadra ime mendon se e ka fituar ndeshjen ende pa luajtur, por kështu nuk fitohet, - deklaroi kroati. – Nëse nuk arrijnë të fitojë ndaj Elbasanit, pastaj turp t’u vijë”, u shpreh i irrituar Krstiçeviç. Ai ka kërkuar nga lojtarët që të mos e nënvlerësojnë ndeshjen ndaj verdhebluve, pasi janë shumë gjëra në lojë. Tirana në fakt e ka një sfidë tepër të rëndësishme atë ndaj Elbasanit. Deri dy javë më parë beteja për një vend në Kupat e Evropës dukej një mision i pamundur për të, por ndalesat e Vllaznisë bënë që kjo çështje të hapej sërish. Shkodranët tashmë janë vetëm 6 pikë larg bardhebluve dhe duke parë kalendarin, ata nuk kanë asgjë të sigurt. Për më tepër që Vllaznia do të ketë të shtunën një përballje direkte me Laçin në transfertë. Dy sfida, që mund të rihapin betejën për vendin e tretë, i fundit që të çon në Evropë.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›