E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lonçareviç: Tirana e dyshimtë, do rishoh të ardhmen

Në një prej gazetave më prestigjoze kroate sportskenovosti.hr, Lonçareviç ka analizuar me nota negative jo vetëm ndeshjen në Norvegji kundër Stabaek, por të gjithë situatën e komplikuar te Tirana.

“Nuk prisja një ndeshje të tillë. As që e mendoja një humbje me të tilla përmasa që do ta quaja të turpshme për një skuadër si Tirana. Në ndeshjen e parë kundër Stabaek pashë që lojtarët e mi ishin mjaft të motivuar e të mobilizuar për të dhënë maksimumin. Ndryshe ishte në Norvegji. Lojtarët nuk zbatuan atë çfarë unë i kërkova, dhe ishte një ndeshje e dyshimtë pasi gjithçka ishte jasht kontrollit”, ka deklaruar trajneri Lonçareviç.

Në prononcimin e tij pas ndeshjes ndaj Stabaek për mediat kroate në lidhje me të ardhmen e tij ai është shprehur se do ta rishikojë pozicionin e tij te Tirana dhe mund të largohet nga ky klub pasi gjendja nuk është e favorshme për të punuar i qetë.

“Nuk e mendoja të tillë situatën dhe tani pas kësaj humbje ndaj Stabaek dhe për nga mënyra se si rrodhën gjërat do të mendohem sërish në lidhje me të ardhmen time. Nuk kam vendosur ende asgjë por situata e krijuar te Tirana nuk është e favorshme për të punuar i qetë dhe mund edhe të largohem nga kjo skuadër duke e lënë me kaq aventurën time në Shqipëri”, është shprehur 65-vjeçari.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›