E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia në kërkim të Gilmando Danit S'gjendet prej së premtes së maksakrës

Që prej të një javë një prej personave të cilësuar si mik i afërt me Dritan Dajtin nuk gjendet sipas policisë në banesën e tij


TIRANE - Një prej personave mbi të cilin policia ka dyshime shumë të forta se ka qenë në vendngjarje të premten e masakrës, është shtetasi Gilmando Dani, një nga personat e cilësuar si i afërt me grupin e Dritan Dajtit.


Dyshimet për të janë bërë edhe më të forta, për shkak të faktit që prej një jave ai është zhdukur nga banesa e tij në Tiranë. (që pas ngjarjes së të premtes, në plazhin e Durrësit).


Dyshimet mbi Danin kanë nisur nga përshkrimi i dhënë nga dëshmitarë të ndryshëm që kanë folur për policinë si dhe të dhëna të fituara në rrugë të tjera.


Pas operacionit të të premtes, efektivët e policisë, kanë marrë urdhër për të kryer disa kontrolle banesash në kryeqytet si dhe në Durrës, për të zbuluar elementë të nevojshëm për goditjen e grupit të Dajtit.


Ndër banesat që janë kontrolluar dhe që janë mbajtur nën vëzhgim prej disa ditësh është edhe ajo e 31- vjeçarit Dani në kryeqytet. Por ai nuk është vënë re për asnjë ditë në të që pas së premtes së masakrës.


Ditën e parë grupet e gatshme dhe shërbime të drejtorisë së Policisë së Tiranës, e kanë kontrolluar banesën e Danit, pa gjetur sende apo elementë të ndaluar. Burimet pohojnë se Dani është zbuluar edhe në disa telefonata që janë përgjuar nga prokuroria.
Gilmando Dani, ka lënë qelitë e burgut të kryeqytetit, afërsisht një vit më parë.


Ai u arrestua së bashku me Emiljano Shullazin dhe Dritan Haten në një apartament pranë rrugës "Myslym Shyri", në kryeqytet në vitin 2006. Pas gjykimit, Dani shleu dënimin duke rifituar lirinë.


Burime të policisë dhe të Prokurorisë, nuk thonë nëse ndaj Danit, ka akuzë të ngritur. Shërbimet e policisë së kryeqytetit, janë ende në kërkim të Danit, pasi sipas tyre ai duhet të sqarojë pozitën e tij rreth ngjarjes së javës së kaluar në plazhin e Durrësit.


Pak ditë më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka mbërritur një shkresë për Departamentin e Hetimit të Krimeve.


Në këtë shkresë të firmosur nga titullarët e Prokurorisë Krimeve të Rënda dhe Prokurorët që merren me hetimin e çështjes së 7 gushtit, kërkohet të verifikohen të gjitha lidhjet shoqërore miqësore dhe njohje të tjera të Dritan Dajtit, Erges Xhoxhit, Ledion Marës dhe personave të tjerë.


Në shkresë hetuesit kërkojnë të verifikohen një listë personash që mund të kenë lidhje me vrasësin e policëve Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari e Altin Dizdari. Kjo me qëllim evidentimin e tyre dhe marrjen në pyetje të secilit, për të mësuar dijeninë e secilit mbi ngjarjen, shkakun e lidhjeve e të njohjeve me Dajtin, Erges Xhaxhin të arrestuar dhe Ledion Marën që mbeti i vrarë sipas policisë nga arma e Dajtit.


Vetëm në Tiranë nga momenti i ngjarjes deri të nesërmen, policia me vendim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kontrolloi dhe bëri këqyrje të 24 banesave në kryeqytet. Në këto kontrolle, u arrestua një person të cilit policia pohoi se i kapi sende të ndryshme të ndaluara. (Karoli). Por dy ditë më vonë, gjykata e la atë të lirë.


Arrestimi i Danit në shkurt të vitit 2006

Gilmando Dani, aktualisht 31 vjeç, është arrestuar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në bashkëpunim me RENEA- në me datë 11 shkurt të vitit 2006. Dani, u arrestua bashkë me Emiljano Shullazin, Dritan Haten dhe një femër, në një banesë në katin e tretë të një pallati në rrugën "Islam Alla", pranë "Myslym Shyrit".


Në këtë operacion, policia deklaroi zyrtarisht atëhere se kishte gjetur dhe bllokuar dy pistoleta të kalibrit 9 mm, 3 automatikë, dy prej të cilëve "Kallashnikovë", një sasi municioni për këto armë, si dhe radio policie, fenelina për mjetet e policisë, si dhe rroba kamuflazhi e dylbi për shikim normal dhe për shikim natën.


Përpara operacionit të vitit 2006, Dani, ishte dënuar me 1 vit burg dhe ishte shpallur në kërkim për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›