Londra përfshihet nga protestat studentore
Koalicioni qeverisës në Britaninë e Madhe ka fituar një votë parlamentare për të rritur pagesën e shkollave në vend nga 3000 sterlina në 9000 në vit. Kjo, edhe pse gjatë gjithë ditës së djeshme ka pasur protesta të mëdha para godinës së Parlamentit nga të rinj që ishin kundër një mase të tillë.
Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje kanë dhënë dorëheqjen 3 ndihmës të ministrit të Arsimit, ndërkohë që ligji kaloi me një shumicë prej 21 votash.
Sipas burimeve të policisë britanike, 8 policë janë dëmtuar në përleshjet me të rinjtë në shesh. Kanë qenë skena plot inat dhe shpërthime të policëve që janë përleshur me protestuesit e revoltuar, të cilët kanë tentuar edhe të sulmojnë godinat, përfshi edhe ministritë që ndodhen aty pranë. Në mëngjes protestuesit kishin çarë rrugën me forcë nëpër blloqet e policëve për të arritur deri në qendër në godinën para Parlamenti ku kanë zhvilluar edhe protestën dhe përleshjet.
Vota e djeshme i sheh pagesat e shkollës të trefishuara, ndërkohë që qeveria e sheh shumicën e saj të reduktuar me tre të katrat. Kundër vendimit të koalicionit qeveritar kanë votuar 21 liberal-demokratë, pra të partisë që është pjesë e koalicionit dhe 6 konservatorë. Ndërkohë, sipas burimeve të policisë, 19 protestues janë larguar të plagosur me makinat e ambulancave. Policia ka pretenduar se ka tentuar që të mbajë të frenuar protestuesit në shesh. Veç të plagosurve, edhe 7 persona të tjerë janë vënë në pranga. Jashtë godinës së Parlamentit protestuesit kanë bërtitur në adresë të deputetëve: “Të keni turp”. Kjo, sapo lajmi i votimit është bërë publik për të gjithë. Gjithmonë sipas burimeve të policisë ka pasur rreth 20 mijë protestues jashtë godinës së Parlamentit.
Për sa i përket qeverisë, ajo ka hasur në këtë rast në problemin më të madh deri tani brenda saj. Kjo, sepse kryesisht disa liberal-demokratë kanë votuar kundër kësaj rritjeje.